Prokuroria vërteton skandalin me naftën

Prokuroria vërteton skandalin me naftën

Prokuroria vërteton skandalin me naftënRezultatet e laboratorëve për naftën me përmbajtje të lartë të sulfurit, e cila është përdorur për ngrohje në shkollat e Prishtinës, i ka vërtetuar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Mostrat e marra nga Prokuroria në 43 shkolla të kryeqytetit kanë dalë të njëjta me ato që janë bërë kohë më parë nga laboratorët e autorizuar në vendin tonë.

Të gjitha raportet e Prokurorisë tregojnë së rezultatet kanë dalë jokonform normës së lejuar. Burime të besueshme te gazetës brenda Prokurorisë, kanë bërë të ditur se njëri nga raportet laboratorike i marr në këto shkolla tregon se vaji për djegie përmban mbi 800 promil sulfur.

“Të gjitha raportet laboratorike janë jokonform. Ka mostër që rezultati ka dal edhe mbi 79 herë më e lartë se normat e lejuara”, ka bërë të ditur burimi i besueshëm i gazetës “Zëri”. Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka konfirmuar se hetuesit i kanë përfunduar të gjitha analizat laboratorike te të gjitha mostrave të marra nga rezervarët e shkollave të kryeqytetit.

Ai ka thënë se dyshohet së vaji për ngrohje që kishte përfunduar në rezervuarët e shkollave ishte kontrabanduar në Kosovë. “Hetuesit i kanë bërë analizat e të gjitha mostrave dhe jemi ende në hetim e sipër. Jemi duke hetuar prej nga ka ardhur ky vaj, pasi që është vërtetuar se ky vaj nuk është në përputhje me letrat që i kemi siguruar. Dyshojmë se është futur kontrabandë”, ka thënë Beka për gazetën “Zëri”.

Beqiri: Hetimet po vazhdojnë

Edhe drejtori kundër krimeve Ekonomike, Emin Beqiri, ka thënë se hetimet janë duke vazhduar në këtë rast. Beqiri duke mos u lëshuar në detaje të hetimeve ka thënë shkurt se së bashku më prokurorët janë duke hetuar. Hetimet kishin filluar nën dyshimin se kompania “HIB Petrol” i kishte shitur komunës së Prishtinës vaj për ngrohje.

Ndërkaq, kjo e fundit e kishte paguar si naftë Eurodisel. Aktualisht një litër naftë ne treg kushton rreth1,20 euro. Ndërkaq çmimi i vajit për ngrohje llogaritet të jetë rreth 40 për qind më i lirë. Pronari i kompanisë “HIB Petrol”, Ibrahim Bucaliu, nuk ka dashur të komentoj asgjë rreth kësaj. Bucaliu nuk ka dashur të përgjigjet nëse prokurorët e kanë ftuar për intervistë. “Unë e di që Prokuroria e ka marr rastin dhe nuk dua të komentoj asgjë. Ata pritet të japin fjalën e fundit për këtë punë”, ka thënë Bucaliu.

Hetimet rreth aferës së naftës kishin nisur qysh në fillim të këtij muaji pasi që Komuna e Prishtinës, doli publikisht dhe foli për mostrat të cilat tregonin se sulfuri në naftën për ngrohje në rezervuarët e shkollave, ishte 600 përqind më e lartë se normat e lejuara.

Pas kësaj, kryetari i Komunës së Prishtinës i kishte ofruar fakte prokurorisë, pasi që me kontratë kontraktuesi “HIB Petrol” detyrohej që të dërgoj naftë me 10 ppm në shkolla, kurse pas analizave laboratorike doli se në rezervuare kishte vaj për djegie, që është 40 përqind më i lirë.

Tahiri: Lënda top sekret

Adonis Tahiri nga zyra për informim e Komunës së Prishtinës ka thënë se Komuna i ka të gjitha raportet laboratorike, por nuk mund t’i publikojë, pasi që janë vlerësuar nga Prokuroria Themelore si top sekret. I gjithë skandali u bë publik në fillim të këtij muaji kur në gazetën “Zëri” u publikua një raport laboratorik i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që tregonte se vaji për ngrohje në rezervuarët e shkollës fillore, “Gjergj Fishta” në Prishtinë përmbante sulfur 600 herë më tepër se norma e lejuar.

Pas këtij raportimi të gazetës, kryetari i Komunës Shpend Ahmeti kishte urdhëruar që të merren mostrat edhe në tri shkolla tjera fillore nga ku kishte parë se edhe në ato shkolla ishte paraqitur sulfur deri në 700 për qind më tepër se norma e lejuar me udhëzim administrative 07/2012.

Kjo kishte shtyrë Ahmetin që të pezullojë mësimin në të gjitha shkollat e kryeqytetit deri sa Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës të dalë me një koment të tyre rreth këtyre raporteve laboratorike. Një javë më vonë me një raport kishte dalë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ku kishte vlerësuar si shumë të rrezikshme përqindjen e lartë të sulfurit në këto vajra, duke thënë se ekspozimi për një kohë të gjatë shkakton edhe kancer.