Prokuroria: Tomë Gashi po e dezinformon opinionin

Prokuroria: Tomë Gashi po e dezinformon opinionin

Prokuroria: Tomë Gashi po e dezinformon opinioninProkurorja Drita Hajdari, prokurore e çështjes në lëndën e të pandehurës Natali Velija, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, njofton se ky rast që nga fillimi procedohet në bashkëpunim me një prokuror nga radhët e EULEX-it dhe se këtij rasti i është dhënë prioritet i nevojshëm, bazuar në seriozitetin që ka.

Dihet se hetimi është i natyrës konfidenciale dhe ka për detyrë grumbullimin e provave relevante për zbulimin e veprës penale dhe kryesve të saj. Për këtë arsye prokuroria nuk mund të jep informata për publikun, lidhur me provat e grumbulluara, kur lënda është në fazën hetimore.

“Ky parim i prokurorisë është keqpërdorur nga avokati i të pandehurës Velija, Tomë Gashi, i cili që nga fillimi ka penguar procesin hetimor, duke publikuar informata, të cilat i ka mësuar në cilësinë e mbrojtësit të te pandehurës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së shtetit.

Sipas prokurorisë, përveç kësaj, avokati Gashi, në shumë raste ka dezinformuar publikun, duke dhënë informata të pasakta për rastin, të cilat njëherësh i ka përdorur me qëllim të dëmtimit të imazhit të prokurorëve në sy të publikut, duke thënë se ata qëllimisht e neglizhojnë përfundimin e rastit. Në mesin e këtyre dezinfomatave është edhe ajo e thënë para mediave, më 10 janar 2013, se: “prokurorët qëllimisht e kanë shtyrë marrjen në pyetje të të pandehurës Velija, për ta zvarritur zhvillimin e hetimeve”.

E vërteta qëndron në faktin se e pandehura Velija ka angazhuar një avokat tjetër, Nuhi Paçarizin, i cili ka kërkuar nga prokurorët e rastit, shtyrjen e marrjes në pyetje të pandehurës, me arsyetim që atij i duhet kohë për tu njoftuar me lëndën.

Prokurorja e rastit njofton qytetarët se në këtë rast janë duke punuar me përkushtim të madh dhe pas përfundimit të hetimeve do ta informojnë opinionin e gjerë publik me rezultatin e këtyre hetimeve. (io)