|

Probleme me Jeten

Sami Lushtaku, Rexhep Hoti, Qani Mehmedi dhe tre persona të tjerë akuzohen se kanë kërcënuar, shpifur dhe i kanë shkelur të drejtat e njeriut ndaj gazetares Jeta Xharra dhe ekipit të BIRN-it. Lushtaku nuk ka dashur t’i komentojë akuzat ndaj tij, ndërsa Qani Mehmedi e ka quajtur absurde aktakuzën. Jeta Xharra tha se mirëpret veprimin e EULEX-it.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku nuk e ka prishur terezinë derisa gjendet në pushim vjetor në Shqipëri.

Në një deklaratë të shkurtër për Express, kryetari i Skenderajt tha se nuk dëshiron që të komentojë asgjë në lidhje me aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe pesë personave të tjerë. Ai tha se tashmë është mësuar me aktakuza ndaj tij.

EULEX-i ka ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut, pronarit të gazetës “Infopress”, Rexhep Hoti, gazetarit Qani Mehmedi dhe tre personave të tjerë, staf i kësaj gazete, me akuzat për kërcënim, shpifje dhe për shkelje të statusit të barabartë të banorëve të Kosovës. I vetmi që ka folur në lidhje me aktakuzën është Qani Mehmedi. Ai tha për Express se e ka marrë aktakuzën nga EULEX-i dhe është habitur kur i ka parë akuzat ndaj tij.

“Në dy komentet e mia që i kam bërë në gazetë, as s’kam kërcënuar, as nuk i kam shkelur të drejtat njerëzore, e as nuk kam shpifur. Kjo është aktakuza më absurde që bëhet ndaj një gazetari në Evropë”, tha Mehmedi për Express duke mos e ndjerë veten fajtor.
Aktakuza është ngritur duke u bazuar në atë se Jeta Xharra është e rrezikuar të bëjë gazetari profesionale në Kosovë. Mehmedi mendon se Xharra, jo që ka qenë ndonjëherë e rrezikuar, por ajo madje, sipas tij, ka qenë e privilegjuar si në aspektin material, por edhe profesional.

“Për të gjitha këto ka dëshmi të mjaftueshme”, thotë Mehmedi. Sipas tij, ky është edhe një rast kur EULEX-i, xhelatin e bën viktimë, ndërsa viktimën xhelat.
Expressi është munduar që të kontaktojë edhe botuesin e gazetës “Infopress”, Rexhep Hoti, por sikurse kryetari i Skenderajt, edhe ai gjendet në pushime jashtë vendit.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, në rast se dëshmohet fajësia për akuzën shkelje e statusit të barabartë, të akuzuarit mund të dënohen me burg prej 6 muaj deri në 5 vjet. Ndërsa akuzat për kërcënim dhe shpifje bartin dënime prej tre deri në gjashtë muaj burg. E tëra ka filluar para dy vjetësh (2009), pas transmetimit të një reportazhi në Skenderaj, ku pretendohet se gazetarët e BIRN-it u penguan të kryejnë punën e tyre dhe u dëbuan nga komuna, të cilën e udhëheq Lushtaku. Storien në fjalë e ka realizuar gazetarja Jeta Abazi, e cila tashmë nuk punon për BIRN-in. Kjo gazetare dy muaj ishte këshilltare e kolegut partiak të Lushtakut, Jakup Krasniqi, derisa ishte ushtrues detyre i presidentit të Kosovës. Aktualisht gazetarja Abazi, e cila me kronikën e saj u bë shkak i krejt këtij debati, punon zyrtare për media në Komisionin parlamentar për Kushtetutën që udhëhiqet nga Arsim Bajrami

Pas transmetimit të kësaj storie për 12 ditë në fund të muajit dhe në fillim të qershorit të vitit 2009 në gazetën “Infopress” është bërë një fushatë ndaj emisionit “Jeta në Kosovë” dhe moderatores së këtij emisioni, Jeta Xharra. Sipas aktakuzës, “Infopress” e ka akuzuar pa bazë Xharrën për tradhti, duke inkurajuar që të ndërmerren veprime të dhunshme ndaj saj. Në njërin nga shkrimet, gazeta në fjalë ka publikuar kërcënim të nënkuptuar me vdekje, ku thuhet: “Jeta ia bëri vetes që të mos ketë jetë të gjatë”. Moderatorja e “Jetës në Kosovë”, Jeta Xharra ka komentuar aktakuzën për Lushtakun dhe të tjerët. Ajo në një deklaratë dhënë gazetës tha se veprimi i EULEX-it është i vonuar, por i mirëseardhur. “Prokurorëve u janë dashur dy vjet për të vepruar– dy vjet gjatë të cilave gazeta “Infopress” ka besuar se mund të vazhdojë të veprojë në mënyrë poshtëruese dhe të rrezikshme pa u ndëshkuar; dy vjet gjatë të cilave prokurorët vendorë jozyrtarisht kanë pranuar se hezitojnë të marrin masa kundër kësaj gazete, për shkak të frikës se edhe ata mund të bëhen cak i sulmeve të saj”, tha për Express, Jeta Xharra.

Gazetarët përshëndesin aktakuzën ndaj gazetarëve

Në anën tjetër, veprimin e EULEX-it që ka ngritur aktakuzë ndaj të paktën katër gazetarëve e ka përshëndetur edhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës.
AGPK-ja vlerëson se vendimi i EULEX-it për ngritje të aktakuzës është i mirëseardhur, edhe pse i vonuar. Njëherësh, ky asociacion kërkon nga EULEX-i “gjykim të drejtë dhe transparent”. M tutje, në njoftimin e AGPK-së theksohet se “ky asociacion para dy vitesh kishte kërkuar nga autoritetet e drejtësisë që të merren me rastin dhe ta zbardhin të vërtetën”, dhe shton se “AGPK-ja e sheh me shqetësim dhe dyshim hezitimin dyvjeçar të autoriteteve vendëse të drejtësisë në Kosovë, që të ndërmarrin diçka në këtë drejtim”.

AGPK-ja i inkurajon gazetarët dhe mediat që t’i përfillin standardet profesionale gjatë raportimit të tyre. Të martën, askush nga EULEX-i nuk ka dashur të japë ndonjë detaj në lidhje me aktakuzën e ngritur, përveç konfirmimit se Prokuroria Speciale të hënën ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave një ditë më herët. Sipas EULEX-it, ata dyshohen të jenë përfshirë në një fushatë mediatike të kërcënimeve serioze dhe shpifjeve kundër një moderatoreje televizive të Kosovës. Përveç Lushtakut, Hotit dhe Mehmedit, të përfshirë në aktakuzë janë edhe Arizona Dibra, e cila në vitin 2009 ishte drejtoreshë e të përditshmes Infopress, kryeredaktori Avni Azemi si dhe një gazetar tjetër i kësaj gazete.

Fakte:
“Jeta në Kosovë” kishte transmetuar një debat në lidhje me lirinë e medieve dhe si shembull i transmetuar në këtë emision kishte qenë edhe reportazhi në Skenderaj, ku përfaqësuesit e Komunës së Skenderajt e kishin larguar dhunshëm ekipin e gazetarëve të BIRN-it. “Infopressi” kishte shkruar disa shkrime për mënyrën se si gazetarja e “Jetës në Kosovës” ishte sjellë në komunë. EULEX-i e kishte marrë rastin në dorë pasi që Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës kishte vendosur si të pabazuara akuzat e Sami Lushtakut të bëra në gazetën “Infopress” se Xharra ishte “shërbëtore e policisë sekrete të Serbisë” mund të shkaktonin “kërcënim për të, duke pasur parasysh veprat e asaj policie famëkeqe”, duke vlerësuar se këto akuza përbëjnë kërcenim. Këshilli kishte rekomanduar prokurorët dhe policinë që të hetojnë gazetën dhe gazetarët. Në atë kohë, kanë reaguar institucionet si Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), Komisioni i Pavarur i Medias si dhe institucionet ndërkombëtare si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Human Rights Watch dhe Amnesty International.

1 përgjigje për “Probleme me Jeten”

  1. Vogoqinca says:

    Qani Mehmedi ësht turp ti thot vedi se asht gazetar !!!
    Ky njeri ësht ma i madhi “sahan” lëpiers i qeveritarve, në historin e gazetaris kosovare, ky ësht turpi i medjave… ësht mir me deportu në maqedoni…

Komentoni