hashim-thaci-610

Pro et contra idesë së Thaçit

Përfaqësues të partive opozitare i kanë vlerësuar si të dëmshme për Kosovën deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhënë ditë më parë se është i gatshëm të takohet dhe të bisedojë me serbët e veriut për t’i zgjidhur problemet së bashku. Sipas tyre, kjo deklaratë e Thaçit, mund të konsiderohet si një njohje e Serbisë brenda Kosovës.

Mirëpo, deklaratën e shefit të Qeverisë e ka “mbrojtur” kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Sipas tij, atë që e ka thënë Thaçi, është e drejtë kushtetuese e kryeministrit që të bisedojë me qytetarët e Kosovës, për zgjidhjen e problemeve të tyre, shkruan Zëri.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri tha se nuk mund të bisedohet me ata njerëz që kanë vendosur barrikada dhe që i kanë djegur pikat doganore, të cilët sipas tij, as nuk janë përfaqësues politikë, ngase siç ka thënë ai janë zgjedhur në mënyrë ilegale nga Serbia.

“Unë nuk dua ta komentoj çka ka thënë Thaçi, por po them mendimin tim, momentalisht nuk ka hapësirë as për bisedime, as për çështjet që janë duke u bërë aktualisht, të ashtuquajtura teknike, e lëre më tash të fillohet të bisedohet dhe në një mënyrë t’u japë njëfarë legjitimiteti njerëzve, që për mendimin tonë e kanë vendin në burg dhe jo në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani thotë se Qeveria ka plan për zgjidhjen e situatës në veri, por ai plan sipas tij, është i keq për Kosovën, dhe qëllimi kryesor i Qeverisë Thaçi është që t’i legalizojë strukturat paralele, përmes bisedimeve me të ashtuquajturit kryetarë të komunave atje.

“Po i legalizon, po i fut brenda njohjes së Qeverisë për ta, pra po i njeh zgjedhjet që i ka mbajtur Serbia në Kosovë, që për neve janë ilegale, dhe ashtu janë deklaruar prej Qeverisë dhe prej mekanizmave ndërkombëtarë”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, në vend se kryeministri t’i ndjekë strukturat ilegale dhe t’i shpërbëjë ato, ai dëshiron të bisedojë me ta. “Kryeministri ka shprehur dëshirë të bisedojë me përfaqësues të strukturave paralele, pra t’i njohë dhe t’i bëjë pjesë të Serbisë brenda Kosovës. Thjesht po e njeh Serbinë brenda Kosovës”, tha Ramadani.