f.0928142756914_m

Privatizimi la pa punë 76 mijë punëtorë

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! realizuan të premten një aksion në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë, në të cilin u shkruan 76 mijë vija, duke ju referuar punëtorëve të shpunësuar nga procesi i privatizimit në Kosovë. 76 mijë vijat u shënuan në një mur simbolik të ndërtuar nga aktivistët.

Gjatë këtij aksioni Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj tha se mur i ndërtuar nga aktivistët paraqet njërën nga pasojat që ka sjellë privatizimi në Kosovë. Secila vijë e shënuar në këtë mur simbolikisht përfaqëson një punëtor që ka humbur vendin e punës si pasojë e privatizimit.

“Shuma e të gjitha vijave tregon numrin në total të punëtorëve që kanë humbur vendin punës, 76 mijë sosh. Humbja e këtyre vendeve të punës ka rrezikuar mirëqenien e rreth 12,667 familjeve në Kosovë. Privatizimi ka rezultuar në shkatërrimin e vendeve të punës, që i ka ulur të ardhurat për familje dhe si pasojë ka rrezikuar shkollimin e fëmijëve dhe kujdesin shëndetësor në këto familje”, theksoi Molliqaj.

Privatizimi sipas tij, e ka shkatërruar industrinë duke ia ndërruar destinimin shumicës së ndërmarrjeve prodhuese duke i shndërruar nga ndërmarrje prodhuese në hotele për ahengje, nga toka bujqësore në ndërtime betoni. “Plani i qeverive të Kosovës, që nga pas lufta, për zhvillim ekonomik përmes privatizimit nuk e zhvilloi vendin, por, për më keq e degradoi. Ky model na ka rrezikuar edhe potencialin tonë për zhvillim ekonomik, duke na kthyer në një vend që vetëm konsumon. Procesi i privatizimit është faktori kryesor që Kosova sot të renditet e para në Evropë për nga varfëria dhe papunësia. Pra, papunësia dhe varfëria ka adresë të qartë e ky është privatizimi i egër”.

“Ky proces ka prodhuar 76 mijë punëtorë që e kanë humbur vendin e punës, ka shkatërruar prodhimin dhe industrinë në njërën anë, dhe nga ana tjetër ka sjellë pasurimin e paligjshëm të dhjetëra politikanëve dhe familjarëve të tyre”, theksoi sekretarin i Vetëvendosjes.

Sipas Molliqajt duhet të mësohet nga vendimet e gabuara që janë marrë në të kaluarën, pasojat e të cilave po i vuajmë të gjithë si shoqëri.