Prishtina nuk i ka legalizuar as tre për qind të objekteve pa leje

Prishtina nuk i ka legalizuar as tre për qind të objekteve pa leje

Prishtina nuk i ka legalizuar as tre për qind të objekteve pa lejeKomuna e Prishtinës ka filluar legalizimin e objekteve pa leje në vitin 2010, por deri më tani ka legalizuar 100 objekte, nga gjashtë mijë sa kanë aplikuar gjithsejtë. Kërkesa për legalizim kanë bërë edhe vet zyrtarë të kësaj komune, por ato ende nuk janë shqyrtuar.

Vetëm 100 objekte janë legalizuar deri më tash nëpërmjet procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje në komunën e Prishtinës, të nisur në vitin 2010, kur qeveria lokale pranoi 6 mijë e 158 kërkesa.

Zëdhënësi i komunës, Asdren Osaj, thotë se “nuk ka ndonjë afat për përmbylljen e legalizimit”.

Me këtë nismë, të drejtë që të përligjen kishin vetëm ndërtimet pa leje të para 2010-tës, sipas Hazir Zhitisë, Koordinator për Çështje Teknike të Legalizimit në Komunën e Prishtinës.

Por, dy vite pasi komuna ka filluar të pranojë kërkesat për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, vetëm 100 sosh janë pajisur me leje dhe 30 janë refuzuar, ani pse janë shqyrtuar gjysma e tyre.

“Deri tash janë shqyrtuar 3,000 kërkesa për legalizim”, tha Zhitia.

Sipas tij, kërkesat e pakompletuara kishin të bënin me prona që nuk ishin në emër të aplikuesve ose në bashkëpronësi, si dhe aso që nuk posedonin fare dokumentacion të pronës.
“Kërkesat që janë kthyer kanë një afat prej 60 ditësh për kompletimin dhe plotësimin e këtij dokumentacioni,” tha Zhitia.

Sipas tij, për objekte të mëdha ky afat dyfishohet për ato raste ku sigurimi i dokumentacionit kërkon procedura gjyqësore dhe administrative.

2,300 kërkesa janë kthyer për mangësi në kompletimin e dokumentacionit.

Rreth 600 kërkesa të cilat kanë filluar të shqyrtohen janë ende në përgatitje të dokumentacionit ose konstatimit të gjendjes ekzistuese të objekteve, shton Zhitija.

Në listën prej rreth gjashtë mijë aplikuesve janë edhe gjashtë zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe një ish zyrtare e cila tani është deputete e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë ndërtuar objekte pa pasur leje për ndërtim.

Zyrtarët që janë në pritje të shqyrtimit të lëndëve të tyre janë Agim Miftari dhe Ahmet Frangu të cilët punojnë si inspektorë, Refik Sadiku në departamentin e infrastrukturës, Fadil Leci në shëndetësi, Nefi Krasniqi në zyra pritëse, Hazir Borovci këshilltar i asamblesë komunale dhe deputetja Nazane Breca.

“Këto kërkesa ende nuk janë shqyrtuar ”, tha zëdhënësi Osaj.

Gjatë këtij procesi do të vendoset edhe për objektet që do të rrënohen.
“Objektet të cilat nuk legalizohen e kanë statusin e objekteve të ndërtuara pa leje”, thotë koordinatori Zhitia. “Së pari për këtë informohet inspekcioni i ndërtimit dhe sipas logjikës së thjeshtë procedurale ato i pret rrënimi”.

Por, komuna nuk ka dhënë informata sa raste të ndërtimeve pa leje të cilat duhet të rrënohen janë paraqitur në polici, prokurori, gjykata apo institucione të tjera.

“Inspeksioni komunal, në çdo rast kur vërehen se po ndërtohet pa leje nga organi kompetent, ato raste ia paraqet gjykatës, për shkelje të ligjit dhe mos respektim të rregullave”, tha zëdhënësi Osaj.

Prokuroria e Shtetit nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës nëse ka pranuar ndonjë denoncim nga Komuna e Prishtinës për ndërtime pa leje.

Policia e Kosovës ka asistuar komunën e Prishtinës gjatë periudhës 2011-2012 në gjithsej 20 raste të rrënimit të objekteve pa leje.

“Këtu nuk përfshihet asistimi i policëve sekondarë të cilët në bazë të marrëveshjes me komunën asistojnë mirëpo nuk na raportojnë neve”, thotë Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës.

Procesi i pranimit të kërkesave për legalizim të objekteve pa leje ishte bërë me dy faza nga dy muaj.

Faza e parë ishte zhvilluar gjatë muajve shtator dhe tetor të 2010-ës. Gjatë kësaj faze, interesimi për të legalizuar objekte kishte qenë i vogël.

Komuna e Prishtinës nuk ka ofruar të dhëna sesa kërkesa për legalizim ishin bërë gjatë asaj faze.

Më vonë, komuna ka caktuar një fazë të dytë për të vazhduar procesin e pranimit të kërkesave për legalizim, në nëntor dhe dhjetor 2010.

Sipas Zhitisë, në gjashtë-mujorin e parë zyrtarët përgjegjës janë marrë me përgatitjet teknike, kurse procesi i mirëfilltë i shqyrtimi të kërkesave ka filluar nga gjysma e dytë e 2011-ës.