mimoza_kusari_lila1

Prioritetet e Mimoza Kusarit

Nuk do të tërhiqet nga përpjekjet për të funksionalizuar marrëveshjen e CEFTA’s. Në rast të mosarritjes së kësaj, ajo do të përdorë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë e Bosnje Hercegovinës. Premton një seri masash lehtësuese për bizneset vendore. Tregun e naftës mendon ta liberalizojë e jo monopolizojë atë. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari, flet për Express.

Ministrja re e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari, nuk e ka ndërmend të jetë tolerante në raport me shtetet që po i bllokojnë shtigjet bizneseve kosovare. Në raport me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën do të përdorë masa reciprociteti. Si drejtuese e kësaj ministrie premton përkrahje të madhe për bizneset vendore.

Në një intervistë të shkurtë për Express, ajo thotë se për të do të jetë shumë më rëndësi zbatimi i ligjeve, i standardeve dhe i të gjitha normave që janë konform atyre që ekzistojnë në vendet e BE’së dhe me ato të rajonit. Tregu i naftës për të do të jetë një nga prioritet. Beson se gjatë mandatit të saj do të liberalizojë tregun e jo të krijojë monopol. Kusari pranon se UNMIK’u është nënshkrues i marrëveshjes së CEFTA’s, por thotë se kryesimi i saj gjatë këtij viti do të përfaqësohet nga institucionet vendore.

“UNMIK’u është nënshkrues, por në aspektin e administrimit dhe të gjitha funksionet tjera janë në duar të institucioneve kosovare. Në këtë rast, tani me ardhjen time në këtë ministri, përfaqësuese për kryesim do të jetë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë”, thotë ajo. Deklaron se do të punojë drejt zhbllokimit të eksporteve kosovare sa më shpejt që është e mundur.

“Kosova mund të shfrytëzojë rastin e saj për zhbllokimin e mallrave gjatë kryesimit, por nëse edhe në këtë rast nuk do të ketë progres, atëherë masat e reciprocitetit, që janë legjitime në këtë aspekt, do të jenë të domosdoshme”, thotë Kusari-Lila.
Për ministren e Tregtisë, prioritet do të jenë edhe shkëmbimet tregtare me vendet e rajonit. Shprehet e gatshme për të punuar seriozisht në rikthimin e preferencave tregtare me BE’në për prodhimet kosovare.

“Problemi i parë që do të merret ministria që unë e drejtoj ka të bëjë me marrëveshjen e Kosovës për preferencat tregtare me BE. Do të fillojmë menjëherë negociatat me Brukselin dhe me shtetet tjera në mënyrë që Kosova të përfitojë nga kjo marrëveshje”, tha ministrja Kusari-Lila. Për stimulin e eksportit, ajo thotë se së pari do të punojë për zhbllokimin e CEFTA’s, për shkak se shumë kompani kosovare gjatë eksportimit kanë hasur probleme së pari në shtetet fqinje.

“Pas rregullimit të kësaj, do të kemi edhe një seri masash inkurajuese për biznesin vendor në mënyrë që jo vetëm të jenë në gjendje t’i plotësojnë kërkesat e tregut vendor, por edhe të kenë aftësi konkurruese për eksport”, thotë ministrja.
Kategorizimi i hoteleve, si njëri ndër projektet që ka mbetur pezull në këtë ministri, me ardhjen e saj thotë se do të bëjë punë intensive në përfundimin e këtij procesi sa më shpejt që është e mundur. Për stabilizimin e tregut të derivateve të naftës, ajo thotë se do të zbatojë normat dhe standardet e ligjit. Sipas saj, kjo është një çështje shumë delikate. Ideja e saj nuk është që të krijojë monopol në këtë treg, por të liberalizojë tregun.