Prezantohet “Tirana Ring Center”, qendra më e madhe tregtare

Prezantohet “Tirana Ring Center”, qendra më e madhe tregtare

Prezantohet “Tirana Ring Center”, qendra më e madhe tregtarePërfaqësuesit e “Tirana Ring Center” kanë prezantuar dje projektin për qendrën më të re që do të hapet në qytetin e Tiranës, në tetor.

Qendra gjendet në udhëkryqin më të rëndësishëm të Tiranës, pranë sheshit “Karl Topia” dhe ka akses të drejtpërdrejtë me rrugën e Durrësit dhe rrugën “Muhamet Gjollesha”. Objekti është i aksesueshëm nga 7 hyrje të ndryshme.

Qendra tregtare ka vetëm një hyrje kryesore dhe ka mundësi lëvizjeje të organizuar nga kati në kat, përfshirë edhe katet e parkimit. Menaxherja komerciale, Eva Abazi duke prezantuar pjesën teknike të qendrës bëri të ditur se ndërtesa do të jetë e përbërë nga disa aktivitete të ndryshme, duke përfshirë një qendër tregtare prej 5 katesh.

“Tirana Ring Center ka një sipërfaqe totale ndërtimi prej 55 mijë metër2, në të cilën gjendet një qendër tregtare   me 70 dyqane me fokus të fortë të markave ndërkombëtare. Qendra do të ofrojë një shumëllojshmëri shërbimesh (Handicap, Wi-Fi, telefon falas, kompjuter, shpërndarje, shërbim taksi etj). Një kat do të jetë i dedikuar vetëm për hipermarketin, ndërsa nuk do të mungojnë dhe restorantet e ambientet e argëtimit për fëmijët. Gjithashtu, në Tirana Ring Center do të këtë rreth 50 apartamente dhe një hotel luksoz me 30 dhoma”.

Ndërsa administratori Michel Brule në prezantimin e hollësishëm të “Tirana Ring Center” tregoi se ndërtesa është e përbërë nga një fasadë komplekse xham/pasqyrë e ndërthur me granit, e ndërtuar sipas teknologjisë më të fundit. “Ky është sistemi më inovativ në botë, i cili mund të integrohet drejtpërdrejt në fasadën e xhamit si pjesë përbërëse e ndërtesës. Dy ekranet me teknologjinë LED prej 280 m2 janë të përfshirë   në fasadën kryesore, të vendosur në pika strategjike me kënde të ndryshme shikimi. Këto dy ekrane gjigante LED ofrojnë avantazh të trefishtë”.

Një hapësirë prej 2000 m2 do të jetë e rezervuar ekskluzivisht vetëm për fëmijët. Animatorët do të kujdesen për “çamarrokët e vegjël”, ndërkohë që prindërit do të kryejnë blerjet. “Kjo do të jetë hapësira më e madhe që një qendër tregtare i kushton fëmijëve dhe do të këtë menaxherë që do të kujdesen vetëm për ta. Një botë plot, lojëra, sport, edukim, rizgjim, shpirt konkurrence dhe tematika do të jetë dedikimi që do t’u ofrohet atyre. TRC do të ofrojë shumëllojshmëri ushqimesh dhe pijesh në ambientet komode bashkëkohore. Ndërtimi i Tirana Ring Center ka filluar dy vite më parë dhe pritet që qendra t’i hapë dyert në tetor të këtij viti”, – u shpreh administratori Brule. /shekulli/