hasan-preteni-498

Preteni sërish kandidon për drejtor të AKK-së

Drejtori i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit do të zgjidhet në shtator. Ai do të zgjidhet me votat e deputetëve të Kuvendit. Për këtë post kanë konkurruar disa kandidatë.

Edhe Hasan Preteni, i cili vazhdon të jetë drejtor i AKK-së deri në zgjedhjen e drejtorit të ri është në mesin e atyre që ka aplikuar në konkursin që Kuvendi i Kosovës ka shpallur pas skadimit të mandatit në muajin korrik. Pas skadimit, Komisioni për legjislacion kishte vendosur që në vend të tij ta emërojë një ushtrues detyre, por kjo është përmirësuar më vonë nga vetë Komisioni, shkruan gazeta Express.

Nënkryetari i Komisionit, Behar Selimi ka thënë se emërimi i ushtruesit të detyrës është e kundërligjshme pasi që puna e vetme që duhet ta bëjë Komisioni është shpallja e konkursit, vlerësimi i kandidatëve dhe rekomandimi për në Kuvend për atë që del më i suksesshëm. “Unë nuk kam qenë në mbledhje kur është bërë emërimi i ushtruesit të detyrës, por anëtarët e tjerë ky vendim është kundërshtuar”, tha Selimi për Express. Pas ankesave dhe kundërshtimeve Preteni është kthyer në zyrën e tij, derisa Kuvendi ta votojë drejtorin e ri.

Burime të gazetës bëjnë të ditur se gjasat e Pretenit për ta marrë sërish këtë post janë të mëdha. Preteni konfirmon se ka konkurruar sërish pas shpalljes së konkursit.

“Po kam konkurruar sërish për këtë pozitë”, tha Preteni për Express. Nga burime të gazetës mësohet se Preteni është kandidati i pestë që ka konkurruar për pozitën e drejtorit të AKK-së.

Në të njëjtën kohë, nënkryetari Behar Selimi thotë të mos jetë në dijeni për emrat e kandidatëve të tjerë. Ai sqaron se pas mbylljes së konkursit mblidhet komisioni për legjislacion, i cili interviston kandidatët. Pas intervistave bëhet vlerësimi i tyre dhe dy prej tyre që vlerësohen si më të suksesshëm i rekomandohen Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e këtij të fundit e zgjedhin drejtorin e AKK-së me vota të fshehta.

Burime të gazetës brenda Komisionit bëjnë të ditur se preferencat për Hasan Pretenin janë më të mëdha. “ Ai është profesionist dhe ka integritet”, tha një anëtar i Komisionit, i cili nuk dëshiron t’i përmendet emri.

Sido që të jetë, deri në shtator nuk mund të zgjidhet drejtori i AKK-së pasi që Kuvendi është në pushim vjetor deri më 19 gusht.