presidenti-30

Presidenti Nishani takon ish-presidentin Sejdiu

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot pasdite në një takim ish-Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Presidenti Nishani në vlerësimin e tij për ish-presidentin Sejdiu u shpreh se kontributet për Kosovën janë kontribute për paqen dhe stabilitetin në rajon duke shtuar se personaliteti i zotit Sejdiu është i lidhur ngushtë me përparimin e Kosovës dhe të ardhmen e rajonit, thuhet në komunikatë.

Ish-presidenti Sejdiu e uroi presidentin Nishani për zgjedhjen në postin e lartë dhe shprehu bindjen se eksperienca politike dhe personaliteti i Tij garantojnë suksesin në mandatin presidencial.

Sejdiu shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që të gjitha institucionet shqiptare kanë dhënë për Kosovën në vazhdimësi si “borxh i natyrshëm i njerëzve të një gjaku”.

Nishani e falenderoi Sejdiun për fjalët e tij të ngrohta dhe e inkurajoi që të vazhdojë të mbetet aktiv për të kontribuar me eksperiencën dhe përkushtimin e tij për Kosovën, shqiptarët dhe rajonin tonë.