05-presidenca_0508112058_1

Presidenca: Marrëveshja – lajm i mirë

 Presidenca e Kosovës e ka vlerësuar si “lajm të mirë marrëveshjen e arritur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar dhe miratuar me KFOR-in”, duke thënë se “është një veprim i arsyeshëm që e zhbllokon gjendjen e krijuar në tri komunat veriore të Kosovës dhe në pikat kufitare 1 e 31”.

“Edhe një herë theksojmë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave të reciprocitetit në këmbimin e mallrave me Serbinë dhe urdhëresa e kryeministrit të Kosovës për të dërguar një njësi të policisë speciale të Kosovës, për t’i mundësuar  Doganave të Kosovës zbatimin e masës së zhdoganimit dhe të kontrollit të mallrave që hyjnë në territorin tonë, ishte një veprim i drejtë e i koordinuar dhe si i tillë legal dhe legjitim për shtetin sovran të Kosovës”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Sipas kësaj deklarate, “bllokimi i rrugëve dhe tentimi për kundërshtim të masave të Qeverisë dhe mosrespektim të ligjit dhe rendit, rrezikonte të çonte një pjesë të territorit në një krizë humanitare dhe në acarim të marrëdhënieve ndërmjet qytetareve të kësaj pjese të territorit të Republikës së Kosovës”.

“Angazhimi i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë që palët t’i kthehen dialogut dhe të gjejnë zgjidhje të përshtatshme dhe të dobishme, si dhe konkretisht angazhimi i KFOR-it në kuadër të mandatit të tij për ruajtjen e pacenueshmërisë së kufijve dhe ruajtjen e paqes e të stabilitetit në rajon, si dhe parandalimin e trazirave ndëretnike, në kuadër të mandatit të dhënë nga institucionet e Kosovës, ishte frytdhënës”, thuhet në deklaratë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, presidentja e vendit angazhohen që edhe me Serbinë të gjitha çështjet, ashtu si edhe me shtetet e tjera, të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjeve. Agjenda në Bruksel, që palët dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së, është alternativa e vetme deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane që e kanë të ardhmen e përbashkët në rrugën e integrimeve euroatlantike. Këtë rrugë mund ta kalojmë me sukses vetëm duke bashkëpunuar, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke i zgjidhur të gjitha çështjet dhe problemet praktike në modelin e standardeve evropiane”, përfundon deklarata e Presidencës së Kosovës.