PPE, rezolutë për situatën politike në Shqipëri

PPE, rezolutë për situatën politike në Shqipëri

PPE, rezolutë për situatën politike në ShqipëriPartia Popullore Europiane ka miratuar një rezolutë për Shqipërinë, ku shpreh shqetësimin e saj të thellë për zhvillimet politike të vend.

Partia Popullore Europiane është formacioni më i madh në Bashkimin Europian dhe ka grupin më të madh në Parlamentin Europian. Në përbërje të tij janë liderë të vendeve më me ndikim të BE-së si, kancelarja Merkel, presidenti i Komisionit Europian, presidenti i Këshillit Europian, dhe Komisioneri i ri për Zgjerimin.

Më poshtë po ju japim edhe rezolutën e plotë:

Rezolutë e miratuar nga Asambleja Politike e PPE (18 nëntor 2014) mbi Shqipërinë

Partia Popullore Europiane, duke marrë parasysh Rezolutën e Parlamentit Evropian mbi Raport Progresin e vitit 2013 për Shqipërinë, dhe duke përshëndetur Rezolutën mbi Integrimin Europian, propozuar nga Partia Demokratike dhe miratuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë vitin e kaluar.

• Duke përshëndetur vendimin e Bashkimit Europian, marrë në qershor 2014, për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë;

• Duke marrë në konsideratë ambiciet e Shqipërisë për të ecur përpara në procesin e Integrimit Evropian, pas përmbushjes së kritereve të Kopenhagen-it dhe përmes fokusimit në prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Europian;

• Duke risjellë në vëmendje se dialogu dhe bashkëpunimi politik mbetet parakusht kyç për të kualifikuar Shqipërinë për hapjen e negociatave për anëtarësim;

1. Shpreh shqetësimin e saj të madh mbi përkeqësimin e situatës politike që ka çuar në polarizim, mungesë dialogu dhe bashkëpunimi në Shqipëri.

2. Dënon dhunimet e përsëritura dhe serioze të shtetit ligjor nga ana e shumicës në pushtet; kërcënimet nga përfaqësuesit e shumicës kundrejt opozitës shqiptare, veçanërisht në parlament; Janë brengosëse sulmet fizike dhe kërcënimet me jetë ndaj deputetëve të opozitës në parlament nga deputetë të shumicës me precedentë kriminalë.

3. Shpreh keqardhje për faktin se për një kohë të gjatë e drejta kushtetuese e opozitës për të ngritur komisione hetimore parlamentare është mohuar nga mazhoranca, në shkelje të qartë të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve konkrete të Gjykatës Kushtetuese.

4. Shpreh shqetësim për praktikat e blerjes së votës nga Partia Socialiste si ato që ndodhën në zgjedhjet e pjeswshme lokale më 3 nëntor 2013; refuzon amnistimin nga shumica të një krimi të tillë, dhe bën thirrje për një hetim të shpejtë, të plotë dhe gjithëpërfshirës të çështjes nga ana e Prokurorisë duke vënë në dukje se OSBE-ja ka rekomanduar hetimin dhe ndjekjen penale për blerjen e votave edhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Shpreh shqetësim për dorëheqjen e detyrueshme të grave të zgjedhura deputete në rradhët e mazhorancës për t’i hapur rrugën deputetëve meshkuj, shpesh me të kaluar kriminale.

5. Shpreh keqardhje për faktin se Reforma Administrative Territoriale u implementua në mënyrë të njëanshme, pavarësisht traditës së gjatë të konsensusit mbi çështjen në fjalë, dhe është e shqetësuar për manipulimin elektoral të hartës.

6. Eshtë e alarmuar nga përshkallëzimi i largimeve masive të paligjshme të zyrtarëve të administratës publike dhe nëpunësve civilë, veçanërisht në Polici, duke dëmtuar seriozisht investimet e bëra nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij për trainimin e një administrate publike profesionale dhe meritokrate në Shqipëri.

7. I kërkon koalicionit qeverisës që në respekt të ndarjes së pushteteve të tërhiqet nga kapja e institucioneve të pavarura, të zbatojë me përpikmëri të gjitha vendimet detyruese të gjyqësorit dhe të respektojë parimet kushtetuese të kontrollit dhe balancës dhe sundimit të ligjit në vend; Dënon largimin e paligjshëm dhe me forcë nga puna të zyrtarëve kryesorë të institucioneve të pavarura, duke përfshirë këtu ILDKP, INSTAT, AMA, KLD, përkundër garancive dhënë Parlamentit Europian nga mazhoranca vitin e kaluar.

8. Shpreh shqetësim serioz mbi veprimet e mazhorancës në kurriz të konsensusit politik, siç është trafikimi i dy mandateve të deputetëve të opozitës në radhët e shumicës, duke përdorur këtë shumicë të krijuar në mënyrë jo etike për të ndryshuar njëanshmërisht ligjet që tradicionalisht kanë qenë të bazuara në konsensus bipartizan; kjo minon përpjekjet serioze të bëra nga Bashkimi Europian për të vendosur një dialog politik cilësor, të qëndrueshëm, dhe gjithpërfshirës, si një parakusht kyç për integrimin europian të Shqipërisë; vë re se muajin e kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, u bëri thirrje partive në pushtet të mos përdorin shumicën e tyre për të anashkaluar opozitën. PPE i bën thirrje të gjitha palëve të zgjedhura në mënyrë demokratike në Shqipëri, të respektojnë kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe për të mbështetur të gjitha institucionet shtetërore të marrin pjesë në procedurat e tyre.

9. Bën thirrje për një reformë në drejtësi bazuar në konsultime dhe konsensus duke përfshirë qeverinë, opozitën dhe aktorët e tjerë relevantë, nën kujdesin e Komisionit të Venecias dhe të trupave të tjera Europiane, në mënyrë që ti shërbejë konsolidimit të pavarësisë, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit.

10. Mbështet plotësisht Partinë Demokratike të Shqipërisë, si dhe përpjekjet e saj të përkushtuara për një dialog dhe veprim politik afirmativ.

11. I bën thirrje Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian për të monitoruar nga afër dhe për të marrë masat e duhura, ashtu si në të kaluarën, për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike në Shqipëri.