PTK_442236032

Posta me bord politik

Zgjedhja e aktivisteve politik në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike, edhe më tej nuk ka të ndalur.

Qeveria e Kosovës ka përzgjedhur bordin e ri të Postës së Kosovës, e cila nga një prilli i këtij viti do të jetë e ndarë nga Telekomi, shkruan “Zëri”.

Në krye të bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës Qeveria e ka përzgjedhur Halit Isufin.

Po ashtu, Qeveria e ka zgjedhur si anëtar të bordit të Postës edhe Zair Imerin, i cili është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në asamblenë komunale të Skenderajt.

Po ashtu, në bordin e Postës do të jetë edhe Aziz Pacolli, po ashtu deputet i Aleancës Kosova e Re asamblesë komunale të Prishtinës.

Anëtari i bordit në Postën e Kosovës do të jetë edhe Branislav Nikolic, kryetar aktual i komunës së Shtërpcës.

Në vendimin e Qeverisë thuhet se bordi i Postës detyrat dhe përgjegjësisë do t’i kryejnë në pajtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Në vendim të Qeverisë po ashtu thuhet se kompensimi i anëtareve të bordit do të behët nga buxheti i Postës së Kosovës në pajtim me vendimin e Qeverisë të 18 gushtit të vitit 2010.

Deri më tash, thuajse të gjitha bordet e Ndërmarrjeve Publike në vend janë punësuar militantë të partive politike.

Një dukuri e tillë është evidentuar thuajse në çdo raport ndërkombëtar të hartuar për Kosovën, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së vendit.