Politikë në xhami, shkolla e kudo

Politikë në xhami, shkolla e kudo

Edhe pse partitë politike mohojnë se kanë gisht në institucionet jopolitike, shoqatat joqeveritare nuk amnistojnë politikën nga ndikimet e saj

Politika po vazhdon të ndikojë me të madhe në jetën shoqërore por edhe në institucionet e tjera që janë jashtë politikës. Tempujt fetarë si xhamitë, shkollat, sektori civil dhe sfera të tjera shoqërore vazhdojnë të dominohen nga politika dhe vendimet e urdhrat që vijnë nga ajo.

Mirëpo, partitë politike mohojnë se kanë gisht në këto sfera, edhe pse ato janë faktorët të cilëve u drejtohet gishti tregues. Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani thekson se partia e tyre as që pretendon të bëjë ndonjë ndikim në ndonjë institucion apolitik, duke përmendur edhe Bashkësinë Fetare Islame.

“Nuk kam dëgjuar se ndonjë parti politikë ka ndikim në Bashkësinë Islame Fetare dhe në shkolla. Nuk kam vërejtur që të kemi pretendime në BFI dhe shkolla, apo institucione tjera jashtë politikës, të cilët kanë prioritetin e tyre”, ka theksuar deputeti Hani.

Edhe përfaqësues të Demokracisë së Re (DR) mohojnë një gjë të tillë. “ DR-ja aspak nuk është e implikuar si parti politike nëpër institucione fetare dhe arsimore. Respektojmë të gjitha institucionet. Ato partitë që po tentojnë të njollosin institucionet fetare apo në arsim , do të japin përgjegjësinë e tyre, për këto implikime negative”, ka theksuar zëdhënësi i DR-së, Arianit Hoxha. Të njëjtin vlerësim japin edhe nga Partia Demokratike Shqiptare.

Por, shoqatat joqeveritare nuk amnistojnë politikën nga ndikimet e saj në çdo sferë shoqërore.

“Viteve të fundit parti të ndryshme po përpiqen të influencojnë në vendimet apo edhe të inflirtohen në institucione arsimore publike e private, deri edhe tek komunitetet fetare. Këto pastaj shndërrohen zëdhënëse dhe mbrojtëse të politikës së partive. Kjo është një praktikë negative,që duhet të marrë fund sa më parë”, ka theksuar kryetari i “Illyricum Libertas”, Valon Kurtishi, i cili thekson se me këtë dëmtohen interesat nacionale të shqiptarëve por edhe imazhi kombëtar. Në Maqedoni i tërë aspekti jetësor dhe përditshmëria është e ndërlidhur skajshmërisht me politikën.

Ky kancer dita ditës po çon drejt rrënimit të të gjitha vlerave, atje ku sado pak janë krijuar apo edhe po kultivohen. Qytetarët dakordohen se politika si duket ka hyrë edhe nëpër muret e shtëpive, por ka depërtuar edhe atje ku nuk e ka vendin. Asgjë nuk mund të ndryshojë fjalën e saj, por duhet të jetë shqetësuese kur ajo përfshin edhe ato sfera të cilat nuk i përkasin asaj.

Krijimi i këtyre situatave të ndërhyrjeve politike kanë shkaktuar zhgënjim të madh tek qytetarët. Anketat e fundit kanë bërë të ditur për rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve që nuk preferojnë politikën dhe asnjë parti politike./ina/