Policia prangos pesë policë të EULEX-it në mision të fshehtë

Policia prangos pesë policë të EULEX-it në mision të fshehtë

Shyqyri Haxhës i kishin “hyrë ethet në bark” të martën e javës së kaluar.

Kryeshefi ekzekutiv i Postë-Telekomit të Kosovës, derisa po udhëtonte me veturë, është ndjekur të martën në orët e pasdites në Prishtinë nga dy xhipa të bardhë të tipit “Toyota”, në të cilët ndodheshin pesë persona.

Duke e parë se këto vetura po e ndiqnin vazhdimisht, Shyqyri Haxha kishte njoftuar Policinë e Kosovës se po ndiqej nga persona të panjohur.
“Drejtori i PTK-së, z. Shyqyri Haxha ka thirrur Policinë se është duke u përcjellë nga këto vetura.

Policia i ka kërkuar Haxhës vendndodhjen e tij dhe e ka udhëzuar që të mos largohej nga sheshi ‘Bill Clinton’ në Prishtinë, por të lëvizte nëpër ato rrugë derisa të arrinte policia”, ka thënë për Kohën Dtore një burim brenda Policisë së Kosovës.
Sipas burimeve, Haxha i ka thënë Policisë së këta persona po ua ndërronin veturave tabelat e regjistrimit dhe po parakalonin njëra-tjetrën.

Burimi ka thënë se Policia ka arritur t’i ndalte këto dy vetura, në të cilat ndodheshin pesë persona, dhe t’ua vinte prangat në duar, por në momentin e fundit ata kanë treguar se janë policë të EULEX-it.
“Policia ka arritur t’i ndalte ata, t’i mbështeste për vetura dhe disave prej tyre t’ua vinte prangat. Por pas pak njëri nga ta ka treguar se janë zyrtarë të EULEX-it dhe i kanë treguar distinktivin e Policisë së EULEX-it”, ka thënë burimi.

Sipas burimit, Haxha po përcillej pas nisjes së hetimeve në PTK, të cilat rezultuan një ditë më vonë, më 15 gusht, me bastisje në tetë lokacione në Prishtinë dhe në Pejë për të marrë informacione rreth nënshkrimit të një kontrate për bartjen e licencës për telekomunikim në rrjetin mobil virtual, e nënshkruar në vitin 2007-2008, mes kompanisë “DardaPhone” dhe PTK-së.

Cak i bastisjeve të EULEX-it kanë qenë zyrat e “DardaPhone”, “Devolli Group”, “Z-Mobile”, banesa e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha, si edhe shtëpia e pronarit të kompanisë “Devolli”, Shkëlqim Devolli.
Policët që kishin zbarkuar me 12 automjete të EULEX-it tek pas katër orësh të bastisjeve kanë filluar të nxjerrin materiale nga PTK-ja.

Ata kanë marrë me vete edhe shumë kompjuterë, kontrata e materiale të tjera që lidhen me dyshimet. Bastisjen e këtyre lokacioneve e ka konfirmuar EULEX-i dhe zyrtarët e kompanive nën hetim.
Gazeta ka kontaktuar të premten Shyqyri Haxhën, zyrtarët e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës, por asnjëri prej tyre nuk kanë folur.

Kryeshefi i PTK-së, Shyqyri Haxha, nuk ka dashur të fliste për këtë rast. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, ndërkaq ka thënë se policia as nuk e pohon e as nuk e mohon “incidentin”, ndërkaq zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, ka thënë se nuk di asgjë për këtë, andaj s’mund të jepte kurrfarë komenti.