Policia e Kosovës siguron Martyn
Policia e Kosovës është duke u përkujdesur për sigurinë personale të Dick Martyt, gjatë qëndrimit në Kosovë.
I dërguari i Këshillit të Evropës arriti mbrëmë për të hetuar akuzat e Serbisë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë trafik organesh me serbë të burgosur gjatë konfliktit të vitit 1999.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë, se për sigurinë personale të zotit Marty, gjatë eskortës dhe qëndrimit të tij në Kosovë, është duke u përkujdesur Njësiti i Mbrojtjes së Afërt të Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i EULEX-it, Christophe Lamfalussy, tha se Dick Marty do të takohet me zyrtarët më të lartë të misionit evropian për rend dhe ligj dhe me persona të tjerë në Kosovë.
Dick Marty është këtu
Nga Jeton Musliu
Dick Marty erdhi në Kosovë, bashkë me policë. I Dërguari i Këshillit të Europës për të hetuar dyshimet se ish-UÇK ka kryer trafikim organesh të serbëve, do të qëndrojë për dy ditë në Kosovë. Ai do të takojë zyrtarë të EULEX’it dhe vendorë.
Pa zhurmë dhe pa asnjë njoftim publik, në Kosovë ndodhet një zyrtar shumë i rëndësishëm i Këshillit të Evropës. Ky është Dick Marty, personi prej të cilit në të ardhmen e afërt, mund të varet edhe opinioni që do të krijohet, kryesisht te të huajt, për luftën e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Marty ka ardhur në Prishtinë të hënën pasdite, rreth orës 16, dhe do të qëndrojë deri të mërkurën. Ai nuk është vetëm. Martyn e shoqërojnë edhe dy zyrtarë të tjerë. Të tre ata, sigurohen nga policë zviceranë, të veshur me rroba civile. Dick Marty është hetuesi i cili do të verifikojë pretendimet e kryeprokurorit të Serbisë për krime lufte, Vladimir Vuçkeviç. Ky i fundit, mbështetur edhe në librin e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, do të verifikojë nëse ish-UÇK-ja ka kryer trafikim të organeve të serbëve, të zënë robër gjatë luftës së vitit 1999.
Agjenda e hetuesit të Këshillit të Evropës mbahet shumë e fshehur. Për agjendën e tij, nuk tregojnë as zyrtarët e Misionit Evropian për Sundimin e ligjit-EULEX.
“Vizita e tij mund të jetë përgatitur nga vetë grupi i tij dhe ne nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë vizitë”, thotë Christophe Lumfusly, shef për komunikim me media në EULEX.
Burime të Expressit nga Aeroporti i Prishtinë tregojnë se Dick Marty ka mbërritur i shoqëruar me disa persona të tjerë dhe atë e kanë pritur veturat e EULEX-it.
“Ai erdhi me shumë persona dhe jashtë u prit nga veturat e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. Aeroplani i tij ateroi në orën 15 e 20 minuta dhe erdhi nga Vjena me kompaninë Austrian Airlines”, thotë burimi i gazetës.
Ardhjen e Dick Martyt në Kosovë e konfirmon edhe Christophe Lumfusly, i cili shpjegon se ai do të takohet me zyrtarë të lartë të këtij misioni.
“Po, mund të konfirmoj se Dick Marty ka mbërritur në Kosovë. Ai do të ketë takime me zyrtarë të EULEX-it dhe persona të tjerë në Kosovë. Kaq mund të them”, thotë Lumfusly për Express.
Pavarësisht ardhjes së tij në Prishtinë, kontaktet me këtë hetues janë të pamundura. Gjatë ditës së hënë, Expressi ka mundur që përmes zyrtarëve përkatës për komunikim në Këshillin e Evropës, të kontaktojë tërthorazi me Dick Martyn.
“Sapo kam kontaktuar me z. Dick Marty, i cili nuk është i gatshëm të japë asnjë intervistë në këtë fazë të punës së tij”, thotë një nga zyrtaret e Këshillit të Evropës, duke sqaruar se e ka të ndaluar të japë çfarëdo sqarimi tjetër.
Pavarësisht kësaj, nga burime ndërkombëtare, Expressi ka mundur të kuptojë se për dy ditë të qëndrimit të tij në Kosovë, Dick Marty do të ketë takime të shumta, duke përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të Prishtinës dhe Misionit të EULEX-it.
“Ai do të ketë takime me zyrtarët seniorë dhe ata të EULEX-it”, thotë ky zyrtar për Express.
Por Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, e mohon se Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, ka në agjendën e tij takim me këtë person.
“Nuk ka në agjendën e tij takim me këtë person as sot, as nesër dhe as në ditët e tjera”, thotë zëdhënësi Krasniqi për Express.
Ndërkohë, takimet e këtij hetuesi përgatiten vetëm pak orë para se ato të mbahen. Përveç kësaj, çështjen të cilën e heton, duket se Marty e cilëson si shumë të ndjeshme dhe arsyeja e marrjes me vete të policëve, nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e tij. “Gjatë ditës së hënë, disa prej këtyre policëve, kanë kontrolluar përreth objektin ku ndodhet Departamenti për Mjekësi ligjore, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”, shpjegon për Express, zyrtari ndërkombëtar. Sipas tij, brenda këtyre dy ditëve, ka mundësi që ai të vizitojë këtë institucion, kurse vizita e këtyre “tipave”, ka qenë për të parë se mos ka diçka që cenon sigurinë e tij.
Arsim Gërxhaliu është drejtor në këtë departament. Por ai e mohon se ka të caktuar ndonjë takim me këtë zyrtar. “Mua askush nuk më ka thënë se mund të kem apo kam takim me të”, thotë Gërxhaliu për Express.
Në fakt, Dick Marty e di se në Prishtinë nuk e do askush. Rreth dy muaj më parë, në kohën kur ishte në vizitë në Beograd, kishte planifikuar të vizitojë edhe Kosovën.
Por askush në Prishtinë nuk deshi të takohet me të. Për të mbuluar këtë, ai u sëmur. Së paku kështu deklaroi në arsyetimin zyrtar.
Me të nuk kishte pranuar të takohet as ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi. Nga të gjithë zyrtarët e drejtësisë së Prishtinës, takimin e vetëm që ai kishte mundur ta caktojë, ka qenë në Departamentin për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi ligjore.
Takimin e paralajmëruar, por të dështuar me Dick Martyn, e konfirmon edhe drejtori Arsim Gërxhaliu. “Para dy muajve është lajmëruar nga zyra e Dick Marty se ai do të ketë takim me mua, por e njëjta është anuluar për arsye shëndetësore të z. Marty. Nga ajo kohë unë nuk di më asgjë. Edhe nëse kam ndonjëherë takim me të, nuk kam asgjë më shumë për t’i thënë, sesa atë që kam mësuar nga mediat dhe libri që e kam lexuar të shkruar nga Carla Del Ponte”, thotë Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi ligjore.
Në fakt, zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë janë personat kryesorë me të cilët Dick Marty do të duhej të kontaktonte.
Por Astrit Kolaj, drejtor i Zyrës për Informim në këtë ministri, thotë se në agjendën e ministres Nekibe Kelmendi, nuk ka të shënuar ndonjë takim me këtë person.
“Ndonëse ministrja është shumë e zënë, në Ministrinë e Drejtësisë nuk është paraparë ndonjë takim me këtë person./Express/