88675policia-1008

Policia e Kosovës, me ligj të ri

Familjet e policëve të rënë në detyrë, me ligjin e ri, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës, do të kenë pension të përjetshëm në një masë deri në 80 për qind të të ardhurave të policit, ndërkohë do të ketë përgjegjësi shtesë për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Kabineti qeveritar i ka dhënë mbështetje të plotë Projektligjit për Policinë e Kosovës, i cili, sipas propozuesit të tij, ministrit të Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, është i harmonizuar me Ligjin e ri për Inspektoratin Policor të Kosovës.

“Arsyet për hartimin e Projektligjit të ri për Policinë, konsistojnë si në vijim: harmonizimin e tij me ligjin e ri për Inspektoratin Policor të Kosovës, konkretisht bartja e përgjegjësisë disiplinore policore në Policinë e Kosovës, forcimin e kompetencave të drejtorit të përgjithshëm të Policisë në procesin e emërimit të zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm të policisë, garantimi i mandatit për menaxhmentin e policisë në rastet e kryerjes së detyrës me përgjegjësi dhe përformancë të dalluar, organizimin dhe formatizimin e projektligjit sipas dispozitave të udhëzimit administrativ nr.14/2008 për hartimin e projektligjeve dhe akteve nënligjore”, ka thënë Rexhepi.

Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu ka propozuar që të shtohet një nen i veçantë lidhur me pensionin e policëve të rënë në detyrë.

“Propozojmë që tek neni 49 ose të shtohet nen i ri në nenin 50, ose të shtohet një pikë e veçantë lidhur me pensionin e policëve të vrarë në detyrë. Konsiderojmë se kjo nuk është e rregulluar me këtë ligj. Duhet të shtohet si nen i ri dhe policët e vrarë në detyrë, familjet e tyre, bashkëshortja, bashkëshorti dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeçare të gëzojnë një pension në një masë deri në 80 për qind të të ardhurave personale që ka pasur polici deri në rënie në detyrë”, është shprehur Avdiu.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka theksuar se Qeveria ka reaguar në rastet e rënies së policëve në detyrë, duke u ofruar ndihmë të menjëhershme, mirëpo tani është koha që kjo çështje të rregullohet me ligj.

“Ne kemi reaguar në raste të tilla kur ka pasur nevojë, edhe në rastin e fundit, por mendoj se tani duhet të rregullohet dy baza aty. E para për policët e rënë në detyrë të kenë formën e kompensimit imediat, domethënë aty për aty për një shumë, dhe e dyta që pensionimi për familjet e tyre të jetë i përjetshëm dhe për fëmijët deri në moshën 18 vjeçare, sikur që parashihet për rastet e tjera. Pra janë dy baza që kërkohet dhe ky është një stimulim edhe për punën që bëjnë, por njëkohësisht stimulim edhe për rendin dhe ligjin, por edhe një garanci e plotë për ata njerëz të cilët e rrezikojnë jetën e tyre në detyrë”, ka thënë Kuçi.

Ndryshe, deri më tani në krye të detyrës kanë rënë 14 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërkaq i fundit ishte Enver Zymberi, i cili u vra gjatë përballjes me grupet kriminale serbe më 25 korrik, ditën e aksionit për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës.