Pogba do të shitet më shumë se Ronaldo

Pogba do të shitet më shumë se Ronaldo

Pogba do të shitet më shumë se RonaldoMino Raiola është një nga agjentët më të suksesshëm në Itali për shkak të disa prej operacioneve më të rëndësishme të merkatos në dekadën e fundit. Gjithsesi, ai nuk synon të ndalet me goditjet e mëdha sepse në dorë ka një xhevahir të çmuar.

Ai është mesfushori i Juventusit, Paul Pogba, për të cilin Raiola planifikon një të ardhme të madhe, sigurisht, jo në radhët e bardhezinjve. Ashtu siç vepron shpesh herë duke i reklamuar klientët e tij në çdo media që i jepet hapësirë, edhe këtë herë Raiola nuk harron të nxjerrë në pah aftësitë e francezit.

“Pogba është një lojtar ekstrem, i pabesueshëm si Ibrahimovic. Edhe pse vetëm 21 vjeç e ka marrë Juventusin për dore duke nisur të shkruajë një pjesë të historisë së kësaj skuadre. Por historinë do ta shkruajë edhe në merkato sepse do të shitet më shtrenjtë se Cristiano Ronaldo. Pogbanë mund ta blejnë vetëm 6 skuadra, por nëse nuk do të jetë momenti i duhur ai do të qëndrojë te Juventusi”.

Një tjetër sinjal alarmi për Zonjën e Vjetër sepse drejtuesit e Juventusit nuk dëshirojnë që në këto momente të flitet për të ardhmen e mesfushorit, i cili ka rinovuar kontratën. Mino Raiola, jep sinjale të rëndësishme dhe e di se me një lumë milionash Agnelli nuk do të bënte hapa pas. Si klubi ashtu edhe agjenti presin momentin e duhur për të arkëtuar sa më shumë nga një prej lojtarëve më të talentuar të futbollit botëror. A do të vijë ai moment në merkaton e verës? Kjo varet nga ofertat e klubeve me buxhet të palimituar si Real Madrid, Paris Saint Germain apo edhe Manchester City.