Pjerin Ndreu: SHISH s'ka informacion për krimet

Pjerin Ndreu: SHISH s’ka informacion për krimet

Pjerin Ndreu: SHISH s'ka informacion për krimetDeputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu e shikon si të domosdoshme ndryshimin e mënyrës së funksionimit të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Në një prononcim për mediet pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Ndreu ka theksuar se, “fakti që SHISH deri tani nuk ka absolutisht një informacion të dhënë për një fluks ngjarjesh kriminale që kanë shqetësuar opinionin publik është tepër shqetësuese që do të thotë se diçka nuk funksionon në atë institucion”.

Ndreu ka shtuar se mos informimi nga ana e SHISH për ngjarje të rënda kriminale mund të vijë si shkak i paaftësisë së këtij institucioni ose mund të jetë e qëllimshme.

“Nuk jam këtu për të nxjerrë motivin se pse, e konstatoj si problematik këtë shqetësim. Është një institucion që ka në dorë burimin e informacionit dhe në burimet e veta të informacionit është e natyrshme që informacioni mund të vijë edhe për fakte ose ngjarje që nuk janë kompetencë e atyre por e Policisë së Shtetit apo institucioni tjetër që edhe për shkak të shpejtësisë në parandalimin e krimeve, duhet t’ia kalojnë drejtpërdrejtë institucionit dhe kështu është vepruar gjithmonë”, u shpreh deputeti i PS-së.