kosove_edita_stefanovic_625527992

Pikat doganore negociohen në Bruksel

Çështja e funksionimit të dy pikave doganore në veri të Kosovës do të jetë temë e diskutimit të radhës në tavolinën e “dialogut teknik” mes Prishtinës dhe Beogradit, derisa raundi i ardhshëm i bisedimeve pritet të jetë në ditët e para të shtatorit.

Sipas burimeve ndërkombëtare, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic do të ulen në tavolinën e bisedimeve në ditët e para të muajit shtator për t’u përpjekur të gjejnë zgjidhjen e problemit të funksionimit të doganave në veri të vendit, të cilat javët e fundit edhe ishin në qendër të trazirave në veri, shkruan Koha Ditore.

Negociatori serb, Stefanovic, i cili javët e fundit duke se ka qëndruar më tepër në veri të Kosovës sesa në Beograd dhe ka “menaxhuar” turmat e serbëve që kanë vendosur barrikadat nëpër rrugë, dhe zëvendëskryeministrja kosovare, e cila për dallim nga ai ka qenë shumë më pak aktive thuhet se janë duke u konsultuar vazhdimisht nga lehtësuesi evropian i bisedimeve, Robert Cooper.

Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar se nga palët do të kërkohet që të diskutojnë për funksionimin e të dy pikave doganore, ngase marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe Qeverisë së Serbisë është e përkohshme – e menduar të mbajë situatën nën kontroll deri nga mesi i shtatorit.

Ajo që përfaqësuesit ndërkombëtarë po kërkojnë është një rol më të vendosur të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare, në mënyrë që palët të lëvizin nga qëndrimet e tyre. Një mundësi e mirë në këtë drejtim, sipas burimeve, mund të jetë vizita e ardhshme e kancelares gjermane, Angela Merkel në Beorgrad.

Po ato burime kanë shpjeguar se nëse nuk ka lëvizje konkrete deri në mesin e muajit shtator, KFOR-i do të vazhdojë të mbetet atje, por shtojnë se mbajtja e dy pikave kufitare si zona ushtarake nuk mund të zgjasë përgjithmonë.

Mospajtimet për mënyrën e funksionimit të të dy pikave doganore, por edhe në transportin e mallrave, Prishtina dhe Beogradi i kanë shfaqur edhe të hënën.

Qeveria e Kosovës ka refuzuar idenë e hedhur nga Beogradi që për transportimin e mallrave të përdoren vula që kanë kuptim të dyfishtë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se Beogradi e di fare mirë se çfarë duhet të bëjë për të zhbllokuar transportimin e mallrave.

“Qëndrimi ynë sa u përket vulave është i qartë dhe i deklaruar disa herë. Serbia duhet t’i pranojë vulat e Kosovës”, ka thënë Kuçi.