Philip Gordon: Kosova të jetë tërësisht e pavarur

Philip Gordon: Kosova të jetë tërësisht e pavarur

Ideale do të ishte që Kosova të ishte një vend ku nuk do të ishte e nevojshme, as prania ushtarake, as ajo civile- ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Philip Gordon, ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe të Euro-Azisë.

Duke folur për ndihmën që administrata amerikane jep për të sjellë njohje të reja, Gordon ka thënë se SHBA-të kanë biseduar me miqtë e tyre që nuk e kanë pranuar ende Kosovën dhe kanë pritur opinionin e GJND-së, ashtu që shpresojnë që ata do ta marrin hapin e duhur për ta bërë këtë.

“Deri tani 69 vende e kanë marrë këtë hap, përfshi shumicën e vendeve fqinje të Kosovës dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së. Një numër i konsiderueshëm shtetesh ishin në pritje të opinionit të Gjykatës, një pjesë e të cilave e kanë pritur me kërkesën e vetë Serbisë”, ka thënë Gordon.

Ai ka shfaqur shpresën që vendimi i GJND-së do çojë në përmirësimin e gjendjes së sigurisë në mënyrë që KFOR-i të zvogëlohet deri në largimin e plotë, dhe po ashtu, sipas tij, SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në vendosjen e shtetit ligjor në të gjithë territorin, në mënyrë që EULEX-i të mos jetë më i nevojshëm.

“Qëllimi ynë është ta shohim Kosovën tërësisht të pavarur, që funksionon pa nevojën e pranisë ndërkombëtare. Opinioni i Gjykatës na ndihmon në përmbushjen e synimit”, ka thënë Gordon.