Peticioni i AAK-së pa bazë kushtetuese

Peticioni i AAK-së pa bazë kushtetuese

Peticioni i AAK-së pa bazë kushtetueseKryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, po insiston me çdo kusht që vendi të hyjë në zgjedhje të parakohshme jo me marrëveshje për shpërbërje të Kuvendit, por me rrëzim të Qeverisë me mocion mosbesimi.

Por, meqë nuk po gjen mbështetje nga subjektet tjera parlamentare për t’ia arritur këtij qëllimi nëpërmjet Kuvendit, ai ka vendosur që deputetët t’i sfidojë me vullnetin e qytetarëve.

Për këtë, nga e marta Haradinaj ka hapur një peticion ku kërkon nënshkrimet e qytetarëve në mënyrë që më pas të njëjtat t’i dërgojë në Kuvendin e Kosovës bashkë me kërkesën për shkarkimin e Qeverisë.

Kjo iniciativë është e veçantë, pasi në të kaluarën peticione ishin dërguar në Kuvend, por jo me kërkesa të tilla si kjo e AAK-së.

Në këtë mes janë ngritur dilemat se cili mund të jetë efekti dhe sa mund të ketë rezultat mbledhja e nënshkrimeve për të kërkuar rrëzimin e qeverisë. Një variant të tillë nuk e parasheh kushtetuta po as rregullorja e punës së kuvendit dhe në këtë mes i krijon hapësira legjislativit që këtë peticion të mos e marrë fare në shqyrtim.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se nisma e AAK-së nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe si e tillë nuk mund të funksionojë në kuvend.

“Forma e reagimit përmes peticionit nuk ka bazë kushtetuese. Ligji ka paraparë nisma legjislative për ligje të caktuara ku mund të mblidhen 10 mijë nënshkrime dhe më pas të procedohen në kuvend, por për forma tilla të reagimit nuk ka bazë kushtetuese. Këtu mungojnë edhe mekanizmat dhe procedurat se si mund të procedohet kjo”, ka thënë Selmanaj. /Tribuna/