Pesëvjetori i pavarësisë pritet të shënohet me një sërë aktivitetesh

Pesëvjetori i pavarësisë pritet të shënohet me një sërë aktivitetesh

Pesëvjetori i pavarësisë pritet të shënohet me një sërë aktiviteteshKëshilli organizativ për shënimin e pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të hënën, ka vendosur që 17 shkurti të shënohet me disa aktivitete kulturore, akademi, parada e homazhe.

Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit dhe njëherësh anëtar i këtij këshilli ka bërë të ditur se këto aktivitete do të mbahen në tërë Kosovën, mirëpo fokusi kryesor do të jetë, sipas tij, në kryeqytet. 

Krasniqi ka pohuar se aktivitetet do të nisin nga 15 shkurti me një akademi solemne që ndërlidhet me 43-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës. “Kjo do të jetë nën patronazhin e Këshillit organizativ, por do të organizohet po ashtu edhe nga UP-ja”, ka thënë Krasniqi.

Një ditë më pas pritet të mbahet një akademi tjetër solemne për shënimin e pesëvjetorit të Pavarësisë së shtetit të Kosovës, e cila do të përcjellët më pas edhe me një koncert nga Filarmonia e Kosovës. “Do të ketë edhe adresime nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, më 17 shkurt, Ditën e Përvjetorit të Pavarësisë, Krasniqi ka thënë se qysh nga ora 9 e mëngjesit do të fillojnë homazhet tek varret e dëshmorëve dhe të personaliteteve të tjera në tërë Kosovën.

“Do të jetë një delegacion zyrtar që do të fillojë homazhet te varrezat në Prekaz, te varri i presidentit Rugova dhe po ashtu te përmendorja e komandantit Zahir Pajaziti. Më pas do të vazhdohet me festimet në qendër të Prishtinës”, ka thënë Krasniqi, shkruan më gjerësisht sot “Koha Ditore”.