Pesë kandidatë në garë për rektor UP-së

Pesë kandidatë në garë për rektor UP-së

Pesë kandidatë në garë për rektor UP-sëAs pas dy orësh mbledhje, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës (UP) nuk arriti të mërkurën që ta emërojë asnjë prej kandidatëve për ushtrues detyre të rektorit të UP-së “Hasan Prishtina”.

Edhe pse fillimisht ishin të propozuar dy kandidatë rektorë, Avdullah Zejnullahu dhe Naser Zabelaj, për shkak të pakënaqësive në këshill është zgjeruar lista e të propozuarve edhe me tre kandidatë të tjerë, Qëndrim Gashi, Anton Berisha dhe Myzafere Limani.

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, kryesuesja e Këshillit të Universitetit, “Hasan Prishtina”, Shefkije Islamaj, ka thënë se pasi që janë vetëm dy kandidatë të propozuar nga Senati dhe Këshilli Drejtues ka vendosur që ta zgjerojë listën edhe me disa kandidatë të tjerë për të pasur mundësinë që në mënyrë demokratike të zgjidhet u.d. i rektorit ai që do të fitojë votat.
Ajo ka thënë se të propozuarit tjerë nuk e dinë që janë propozuar për u.d. të rektorit.

“Ne nuk e kemi marrë mendimin e tyre, prandaj potencialisht është e mundur që të mos pranojnë propozimin tonë. Megjithatë u arrit pajtimi që edhe me tre kandidatë të zgjerojnë listën e Senatit”, ka thënë Islamaj.

Sipas saj, Këshilli Drejtues mendon që duhet të ketë më shumë kandidatë që të ketë mundësi në përzgjedhjen e tyre dhe ta kryejë punën. “Mbledhja do të mbahet të premten, sepse kandidatët e propozuar duhet që të përgatisin një CV-i ose një platformë për udhëheqjen e Universitetit. Prandaj duhet t’u lejohet mundësia që edhe ata të jenë si kandidatët e tjerë”, ka thënë Islamaj.

Ajo ka përjashtuar mundësinë që të jetë diskutuar veç e veç për secilin kandidat. “Absolutisht nuk kemi diskutuar për kandidatët, por qëndrimi i Këshillit Drejtues ka qenë që kjo listë duhet të jetë më e gjerë. Emrat e rinj janë propozuar nga të gjithë anëtarët e senatit”, ka thënë Islamaj.

Edhe anëtari i këtij Këshilli, Ajvaz Berisha, ka thënë se mbledhja është shtyrë për të premten, me kusht që, sipas tij, të ketë sa më shumë kandidatë për ta qeverisur Universitetin “Hasan Prishtina”. Ai ka thënë se janë propozuar edhe tre emra nga Këshilli Drejtues, sepse ky këshill ka të drejtë të propozojë kandidatë të tjerë.

“Anëtarët e KD-së kanë thënë se dëshirojnë që të ketë edhe kandidatë të tjerë dhe si rrjedhojë e kësaj kërkese, u propozuan edhe tre emra të tjerë”, ka thënë Berisha.

Se a nuk ishin të përshtatshëm dy kandidatët e propozuar nga senati, Berisha ka thënë se nuk ka të bëjë me atë. “Jo, absolutisht, por dolën propozime të reja dhe kanë të drejtë të bëjnë propozime sepse është një gjë që i lejohet me ligj, për këtë arsye”, ka thënë Berisha.

Përndryshe, një ditë më parë Senati i Universitetit të Prishtinës kishte propozuar dy kandidatë për pozitën e ushtruesit të detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës: Abdullah Zejnullahu dhe Naser Zabeli. Me votim të fshehtë në Senatin e UP-së u votuan tre kandidatë, ndërsa më i votuari doli Abdullah Zejnullahu me 27 vota dhe Naser Zabeli me 25 vota, ndërsa Sali Bashota mori vetëm 13 vota kështu që nuk arriti të kualifikohet për procedurë të mëtejme. Kështu që Abdullah Zejnullahu dhe Naser Zabeli janë kualifikuar për procedurë të mëtejme për zgjedhje nga Këshilli Drejtues i UP-së. Ky vendim u mor të martën në mbledhjen e Senatit të UP-së.