f1_lufta-sp-jpg1339744747

Përleshjet dhe tensionet politike shëmtojnë “Euro 2012”

As Polonia e as Ukraina, dy bashkorganizatoret e Evropianit 2012 të futbollit, nuk kishin dashur të ishin në këtë mënyrë. 

Kur dy fqinjët u zgjodhën për të organizuar ngjarjen më të madhe festive të futbollit në Evropë, Polonia e pa si rast për t’i bërë reklamë vetes dhe për të treguar se sa ka përparuar.

Për Ukrainën, “Euro 2012” ofroi një mundësi për të treguar përparimin e saj si shtet modern demokratik i pavarur nga çdo ndikim Sovjetik dhe i gatshëm për të marrë vendin e duhur në Evropë.

“Loja e bukur” do të ishte njëlloj ngjitësi për t’i bashkuar këto dy ideale së bashku.

Por, një javë garë në turne, këto ëndrra po thartohen derisa grindjet politike dhe rivalitetet e vjetra kërcënojnë të zhdukin shkëlqimin nga arritjet sportive.

Në Varshavë tifozët polakë dhe rusë u rrahën në afërsi të stadiumit të martën para barazimit 1:1 mes skuadrave të tyre, një pasqyrim ky i marrëdhënieve të vështira, përfshirë dekadave të dominimit të sovjetëve ndaj Polonisë. Në stadium një flamur masiv u shpalos me një slogan mjaft nxitës “This Is Russia” (Kjo është Rusi).

Në Ukrainë, që ende po merr veten nga akuzimet se racizmi është prezent në nivel të klubeve, tensionet janë rritur për fatin e ish-kryeministres Yulia Tymoshenko.

Duke injoruar bojkotin të disa prej politikanëve perëndimorë që qëndruan në shtëpi për ndeshjet e “Euro 2012” në shenjë solidariteti ndaj Tymoshenkos, lidershipi ukrainas ka thënë se ish-kryeministrja mund të përballet me akuza të reja në përfshirjen në një vrasje të 16 viteve më parë.

Përleshjet në Varshavë, ku policia u desh të gjuante me plumba gome dhe gaz lotsjellës, ishte një turpërim për Poloninë, që deri në atë çast ishte drejtuar drejt një turneu paqësor.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në një telefonatë i ka thënë kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk, se Varshava ka përgjegjësinë e plotë për sigurinë e tifozëve dhe Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar tifozët polakë për dhunën. Polonia kërkoi falje për incidentin e ndodhur.