ldk

Përleshje në LDK

Zgjedhjet në Aktivin e LDK’së në Obiliq janë ndërprerë të dielën për shkak të mosmarrëveshjeve mes përkrahësve të Sejdiut dhe Bukoshit. Ato përfunduan me sharje, shtyrje dhe grushta. Aty ndërhyri edhe Policia. Për shkak të tensioneve dhe brohoritjeve “Ukë Rugova”, procesi zgjedhor u ndërpre edhe në një Aktiv në Prishtinë.

Tensionet kanë përfshirë procesin zgjedhor në Lidhjen Demokratike të Kosovës, të dielën.

Në Obiliq dhe në Prishtinë janë ndërprerë punimet në disa aktive, për shkak të mosmarrëveshjeve.

Ndërhyrja e policisë ka qenë e nevojshme për të ndarë grupet rivale.

Në orët e mbrëmjes Gazeta Express ka mësuar se në zgjedhjet në një aktiv në Qytetin e Obiliqit, të dielën në mbrëmje, kanë plasur fjalosje mes tri grupeve të ndryshme lidhur me atë se kush duhet të zgjidhet kryetar në këtë strukturë të partisë, të cilat kanë përfunduar me incidente.

“Përkrahës të grupeve kanë dalë jashtë për t’u marrë vesh për emrin e kryetarit të aktivit. Ka pasur shtyrje, të shara dhe grushta. Gjatë tollovisë që u krijua, janë dëgjuar emrat e Sejdiut dhe të Bukoshit. Pastaj, dikush ftoi policinë. Policia e Obiliqit ka ndërhyrë dhe e ka regjistruar rastin”, ka thënë për Express, një zyrtar i LDK’së, me kusht anonimiteti.
Sipas tij, punimet në këtë aktiv, ku merrnin pjesë edhe zyrtarë të Kryesisë së Degës së Obiliqit, janë ndërprerë.     /Gazeta Express