Përgjaket Ukraina, të paktën 25 të vrarë në Kiev

Përgjaket Ukraina, të paktën 25 të vrarë në Kiev

Përgjaket Ukraina, të paktën 25 të vrarë në KievPresidenti ukrainas, Viktor Yanukovich fajësoi opozitën për valën e re të dhunës në vend, që ka shkaktuar të paktën 25 viktima, vetëm në kryeqytetin Kiev.

Pas dështimit të bisedimeve me opozitën, Yanukovich ftoi udhëheqësit e kësaj të fundit që të distancohen nga grupet radikale dhe tha se janë ende në kohë për t’i dhënë fund konfliktit.

Ndërkohë, policia vazhdon operacionin në kampet e protestuesve. Ndryshe nga presidenti, aktivistët e të drejtave të njeriut fajësuan qeverinë për dhunën e shpërthyer. Sipas tyre, ndërhyrjet brutale të policisë shkaktuan reagimin e turmës.

Në Kiev numërohen të paktën 25 viktima, nga të cilët 9 raportohen oficerë policie, ndërsa të plagosurit janë mbi 150,m transmeton TCh njoftimet. Të martën, në orën 18:00 me orën lokale (17:00 me orën tonë) përfundoi ultimatumi i vendosur nga forcat e rendit, për boshatisjen e sheshit. Përmes megafonëve, ata njoftuan “nisjen e operacionit anti-terror”.
Ata përdorën pompat e ujit dhe avancuan me automjetet e blinduara. Protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe fishekzjarre.
Udhëheqësi i opozitës, Arseniy Yatsenyuk, këmbënguli se kampi nuk do të lëvizë prej “Maidan”-it, ndërsa Vitali Klitschko u kërkoi grave dhe fëmijëve të largohen, sepse nuk përjashtohet përdorimi i forcës.

Një prej këshilltareve të Yanukovych, i cituar nga media ukrainase, tha se presidenti është kundër përballjes dhe konfliktit. Më herët, policia bllokoi protestuesit, që po marshonin drejt Parlamentit, ku deputetët do të debatonin projekt/propozimin e opozitës për ndryshime në Kushtetutën e vendit, për t’iu kthyer dokumentit të vitit 2004, që kufizonte pushtetin e Presidentit.

Por, përfaqësuesit e opozitës thanë se u bllokuan dhe nuk arritën të dorëzojnë draftin e tyre. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, pati përleshje brenda Parlamentit. Kryetari i Parlamentit, Volodymyr Rybak, tha se, mëngjesin e së mërkurës, udhëheqësit e opozitës do të takohen me presidentin Viktor Yanukovych.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, bëri thirrje për përmbajtje dhe dialog. Shtëpia e Bardhë u shpreh e tronditur nga dhuna.
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, u bëri thirrje palëve t’i kthehen përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

Ministri britanik për Europën, David Lidington, tha se një dhunë e tillë nuk ka vend në demokracitë europiane dhe u kërkoi palëve të gjejnë rrugën e kompromisit.

Moska fajëson për dhunën “bashkëpunimin e fshehtë të politikanëve perëndimore, strukturat europiane dhe refuzimin e tyre për të marrë në konsideratë veprimet agresive të forcave ekstremiste”.