Përfitimet e ekonomike të Shqipërisë nga projekti TAP

Përfitimet e ekonomike të Shqipërisë nga projekti TAP

Përfitimet e ekonomike të Shqipërisë nga projekti TAP Vetëm në fazën e ndërtimit që do të zgjasë nga viti 2015 deri në vitin 2018, gazsjellësi do të gjenerojë 157 milionë euro shtesë në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar dhe do të krijojë mesatarisht 2900 vende pune në vit.

Nga investimi i projektit TAP (Trans Adriatic Pipeline) Shqipëria parashikohet të përfitojë një vlerë nga 800 milionë euro në 1 miliard euro. Një studim i universitetit prestigjioz të Oksfordit ka përllogaritur në shifra konkrete përfitimet që do të ketë ekonomia shqiptare nga ndërtimi i gazsjellësit Transadriatik.

Sipas studimit, vetëm në fazën e ndërtimit që do të zgjasë nga viti 2015 deri në vitin 2018, gazsjellësi do të gjenerojë 157 milionë euro shtesë në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar dhe do të krijojë mesatarisht 2900 vende pune në vit. Por këto janë vetëm përfitimet direkte. Studimi vë në dukje se ndërtimi do të ketë efekte zinxhir në krijimin e bizneseve të reja, që do përfshihen në aktivitete e lidhura me këtë industri. Kjo, sipas tyre, do të rrisë prodhimin kombëtar edhe me 110 milionë euro të tjera shtesë, duke krijuar edhe 3900 vende të reja pune. Por efekti zinxhir i përllogaritur vazhdon, pasi studimi vlerëson se ekonomia do të përfitojë edhe nga shpenzimet e punonjësve të punësuar në projekt ose aktivitetet e lidhura me të. Sipas përllogaritjeve, efekti i tyre do të jetë një tjetër shtesë prej 110 milionë eurosh në prodhim dhe 460 vende të reja pune. I gjithë ky efekt në ekonomi prek edhe Thesarin e Shtetit, duke gjeneruar sipas studimit 40 milionë euro të ardhura për buxhetin në periudhën 2015-2018. Këto janë përfitime vetëm për tre vitet e para të ndërtimit, ndërkohë që në 20 vjet ekspertët e Oksford përllogarisin se ekonomia shqiptare do të përfitojë deri në 1 miliardë euro shtesë në prodhim nga projekti.

Ekspertët: Zbutet kërkesa për energji, do të bien çmimet
Ekspertët e Entit Rregullator të Energjisë thonë se ndërtimi i gazsjellësit Transadriatik, i cili përfundon në 1 janar 2019, zbut përfundimisht problemet energjetike të Shqipërisë.
“Cilado që të jetë kërkesa fillestare në Shqipëri, TAP do ta marrë përsipër mbulimin e saj. Në shtesë të kësaj, vendimi i Entit Rregullator, ka parashikuar që TAP do të bëjë çdo dy vjet një vlerësim të tregut dhe në qoftë se do të manifestojë që ka nevojë për më shumë gaz, atëherë do të rritet kapaciteti i pikave të gazit ekzistuese, ose do të shtojë pika të reja”, – tha Shkëlqim Bozdo, komisioner i Entit Rregullator. Komisioneri i Entit sqaron se përdorimi i gazit ul deri në 30 për qind kostos që paguajnë aktualisht familjet për ngrohje apo dhe gatim. “Nëse përdor direkt gazin për ngrohje, pa dyshim që gazi redukton 30 për qind të kostos”, – tha Bozdo. Por furnizimi me gaz, pritet të zhvillojë edhe industrinë, duke u krijuar bizneseve mundësinë për energji me kosto të ulëta. Gazsjellësi Transadriatik, i cili transporton gazin e Kaspikut në tregjet evropiane, një investim rreth 40 miliardë dollarë, kalon përmes Shqipërisë dhe përfundon në Itali. Projekti u përzgjodh si fitues nga aksionerët e fushës gazmbajtëse të ‘Shah Denizit’ në Azerbajxhan, kundrejt rivalit tjetër ‘Nabuço’, i cili e anashkalonte Shqipërinë duke i hequr asaj përfundimisht mundësinë për të qenë pjesë e rrjetit botëror të gazit. Për këtë arsye, prej vitesh Tirana zyrtare dhe Kryeministri në ikje Sali Berisha kane qenë një nga mbështetësit më të fortë të projektit në arenën ndërkombëtare, përmes lobimeve në Azerbajxhan, por edhe në korridoret e Brukselit. Sipas përfaqësuesve të TAP, ky projekt përfaqëson një mundësi të madhe për Shqipërinë, për investimet e huaja, rritjen e punësimit apo zhvillimin rural të vendit, pasi disa nga seksionet e gazsjellësit do të ndërtohen në zona të largëta të vendit dhe si rezultat do të ndërtohen edhe rrugët që të çojnë në këto zona.

Gjatë katër viteve të tij të ndërtimit (2015-2018), duke përfshirë efektet direkte, indirekte dhe të nxitura, TAP do të:

– Kontribuojë një total prej 157 milionë ndaj GDP-së shqiptare

– Krijojë mesatarisht 2 900 vende pune në vit

– Përftojë 40 milionë për thesarin shqiptar

Gjatë funksionimit që pritet të zgjasë 50 vjet, duke përfshirë ndikimet direkte, indirekte dhe të nxitura, projekti parashikohet të:

– Kontribuojë një total prej 2,700 milionë ndaj GDP-së shqiptare

– Krijojë 460 vende pune në vit

– Përftojë 2,500 milionë të ardhura nga taksat

Komunat që përfitojnë nga ndërtimi i gazjellësit TAP

Të paktën 38 komuna dhe bashki në vendin tonë pritet të preken nga ndërtimi i gazsjellësit TAP. Në listën e bashkive dhe komunave bie në sy Bashkia e Durrësit, e Beratit apo ajo e Çorovodës, ndërkohë që pjesa tjetër janë komuna. Ndërtimi i përgjithshëm i seksionit shqiptar të projektit pritet të fillojë në mesin e vitit 2015 dhe do të zgjasë afërsisht 3.5 vjet, pasuar nga aktivizimi gjatë vitit 2018. Në projektin e TAP orari përfundimtar specifik i ndërtimit do të varet nga çështje të ndryshme teknike dhe kontraktuale Po në projekt sqarohet se, nëse ndërtimi do të fillojë në vitin 2015, atëherë vënia në punë e projektit do të ndodhë gjatë vitit 2018. Trafiku i ndërtimit do të përdorë rrjetin e rrugëve ekzistuese dhe rrugët e reja dhe të përmirësuara për të arritur vendet përgjatë korridorit të ndërtimit të gazsjellësit. Pas përfundimit të punëve në rregullimin dhe ndërtimin e rrugëve, TAP AG do të kërkojë që t’i mbajë të hapura për publikun gjatë gjithë periudhës së ndërtimit të gjitha segmentet hyrëse që janë në tokë publike.

Komunat dhe bashkitë ku kalon projekti TAP

1-Bashkia Berat

2-Komuna Ura Vajgurore

3-Komuna Cukalat

4-Komuna Kutalli

5-Komuna Otllak

6-Komuna Poshnjë

7-Komuna Roshnik

9-Komuna Velabisht

10-Komuna Vërtop

11-Bashkia Durrës

12-Komuna Rrashbull

13-Komuna Synej

14-Bashkia Roskovec

15-Komuna Bubullime

16-Komuna Dermenas

17-Komuna Kuman

18-Komuna Kurjan

19-Komuna Libofshë

20-Komuna Mbrostrar

21-Komuna Qendër Fier

20-Komuna Strum

21-Komuna Topojë

22-Bashkia Bilisht

23-Komuna Drenovë

24-Komuna Hoçisht

25-Komuna Mollaj

26-Komuna Pojan

27-Komuna Proger

28-Komuna Qendër Bilisht

29-Komuna Bulgarec

30-Komuna Vithkuq

31-Komuna Voskopojë

32-Bashkia Çorovodë

33-Bashkia Polican

34-Komuna Vëndreshë

35-Komuna Bogovë

36-Komuna Potom

37-Komuna Qendër Skrapar