Për 0,6% janë ngritur çmimet e konsumit në Kosovë

Për 0,6% janë ngritur çmimet e konsumit në Kosovë

Për 0,6% janë ngritur çmimet e konsumit në KosovëAgjencia e Statistikave të Kosovës, konkretisht Departamenti i Statistikave të Ekonomisë dhe Llogarive Kombëtare, ka publikuar të enjten Indeksin e Çmimeve të Konsumit për muajin dhjetor 2012.

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,6% në muajin dhjetor 2012, krahasuar me muajin nëntor 2012.

Ndërsa dhjetori i vitit 2011, krahasuar me muajin nëntor 2011, ishte me çmime më të larta për 0,4%. Shkalla e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2012 me muajin dhjetor 2011 ishte 3,7%.

Shkalla mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2012 ishte 2,5%. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: Perimet 5,3% dhe duhani 7,1%, që ndikuan secili me 0,3 për qind në përcaktimin e IÇK-së.

Ndërkohë, çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 3,7% në muajin dhjetor 2012, krahasuar me muajin dhjetor 2011. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet:

Duhani 15,3%, me një ndikim prej 0,6 për qind;

Buka dhe drithërat 5,8%, perimet 11,2%, me secilin nëngrup ndikoi me 0,5 për qind;

Energjia, gazi dhe lëndët e tjera djegëse për 7,6%, me një ndikim prej 0,4 për qind;

Pemët 12,2%, gazetat, librat dhe materialet për zyra 18,7%, me secilin nëngrup që ndikoi me 0,3 për qind;

Mishi 3,0%, qumështi, djathi dhe vezët 2,2%, vajrat dhe yndyrat 14,3%, me secilin nëngrup ndikoi me 0,2 për qind;

Kafja, çaji dhe kakao 7,2%, veshja 1,8%, këpucët 5,4%, furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin 11,8%, orenditë dhe aparaturat, qilimat dhe shtrojat tjera për dysheme 3,5%, përdorimi i pajisjeve për transportin personal 1,1%, shërbimet hoteliere 1,7%, me secilin nëngrup ndikoi me nga 0,1 për qind në IÇK.

Rënie e çmimeve vërehet te nëngrupi: Pajisjet, shërbimet telefonike dhe të telefaksit me -4,9%, kryesisht për thirrjet ndërkombëtare, me një ndikim prej -0,2 për qind të IÇK-së.