Pep Guardiola, një Ajnshtajn i futbollit

Pep Guardiola, një Ajnshtajn i futbollit

Pep Guardiola, një Ajnshtajn i futbollitGazeta “Bild” e ka cilësuar trajnerin e Bajernit, Pep Guardiola, si një “Ajnshtajn i futbollit”. Gazeta ka zbuluar edhe formulën e ish-teknikut të Barcelonës, që në sezonin 2010-2011 fitoi gjashtë nga gjashtë trofetë e mundshëm.

Formula magjike, sipas “Bild”, është kjo: 365:51+1,79+(66%x87%)+65. “Bild” e ka zbërthyer atë, teksa jep karakteristikat e veçanta për lojën e Bajernit, siç janë kapaciteti golashënues, përdorimi i lojtarëve shtatshkurtër, kontrolli i topit dhe kilometrat e përshkruar në fushë gjatë një takimi.

Kështu duke zbërthyer formulën “á la Ajnshtajn” që ka nxjerrë “Bild”, 365 është numri i të gjitha rasteve, 51 të kthyer në gola. Një tjetër aspekt i skuadrave të Guardiolës është shfrytëzimi i lojtarëve jo shumë shtatlartë, por që janë të zotët me topin. Për momentin, futbollistët që përbëjnë formacionin titullar te Bajerni kanë një gjatësi mesatare 1.79 metra.

Më i shkurtri prej tyre është Xherdan Shaqiri, 1.69 metra dhe me nga 1 cm më shumë pas tij vijnë Lahm dhe Riberi. Shifra 66% në formulë i përket mesatares për zotërimin e topit nga ana e bavarezëve, ndërsa 87% për saktësinë e pasimeve, shifra më e lartë në kampionatin gjerman.

Edhe për vrapin në sulm, Bajerni është kampion në Bundesligë, mesatarisht 65 kilometra për ndeshje. Në Gjermani tani mendojnë se ky Bajern është edhe më i mirë se ai i drejtuar nga Jup Hajnkes vitin e kaluar, që fitoi gjithçka.