Peja rikthehet në krye të kronikës së zezë

Peja rikthehet në krye të kronikës së zezë

Peja rikthehet në krye të kronikës së zezëDy lajme për vdekje tragjikë janë shpërndarë mëngjesin e të premtes në qytetin e Pejës, duke e bërë edhe më të rëndë bilancin e fatkeqësive në komunën e Pejës edhe gjatë këtij viti në të cilin kemi hyrë.

Gjashtëmbëdhjetëvjeçari Granit Kelmendi nga Llabjani është vrarë natën e së enjtes pas një zënke mes disa të rinjve që po prisnin autobusin për t’u kthyer nga shkolla në shtëpi, pasi kishte ndjekur mësimin në Shkollën e Mesme Ekonomike. Gjatë përleshjes ai është qëlluar disa herë më thikë në shpinë duke marrë plagë të rënda nga të cilat ka vdekur dy orë më vonë derisa po e transportonin nga Spitali i Pejës në klinikat e QKUK-së në Prishtinës, për shkak të gjendjes së rëndë, shkruan “Zeri”.

Personat që kanë kryer vrasjen, të dytë me inicialet M.D. janë po ashtu të mitur, njëri nga të cilët një vit më i madh se viktima kurse tjetri nuk i ka ende 15 vjet. Sipas policisë së Pejës, në bazë të hetimeve të deritashme, gjurmëve të ekzaminuara dhe dëshmive të mbledhura, ka qenë pikërisht ky ai që e ka qëlluar me thikë viktimën në zënkën e të enjtes rreth orës 18 gjersa nxënësit po pritnin autobusin për t’u kthyer në shtëpi.

“Policia shumë shpejt ka identifikuar dhe ka arrestuar të njëjtit. Të dyshuarit e arrestuar janë shtetasit M.D. (1999) dhe M.D.(1996) nga fshati Nabërgjan i Pejës, të cilëve u është bastisur shtëpia dhe u është konfiskuar mjeti (thikë) me të cilën dyshohet se është kryer vepra e vrasjes së rëndë” ka thënë zëdhënësi i policisë së Pejës Xhevat Ibra.

Ende pa marrë veten nga ky lajm i kobshëm, të premten në mëngjes, një tjetër rast tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Rreth orës 06:30, në fshatin Vitomiricë të Pejës, një grua është shkelur me makinë dhe shoferi është larguar duke e lënë gruan e përplasur në rrugë pa i ofruar asnjëfarë ndihmë.

Nga plagët e rënda Ramiza Hasanagiq (1958) nga Vitomirica ka vdekur rreth orës 6.30 të mëngjesit. Makina që e ka qëlluar atë ka ikur duke lënë përtokë viktimën që pas pak ka ndërruar jetë. Policia ka bërë ekzaminimin e gjurmëve të mbetura në rrugë e në trupin e viktimës fatkeqe dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe gjetjen e shoferit të pandërgjegjshëm. Hetimet kanë vazhduar dhe personin e dyshuar, shtetasi Avni A.(1982), i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet është arrestuar dhe po mbahet në lokalet e policisë, shkruan “Zeri”.

Dy rastet tragjikë të kësaj fundjave kanë shtuar numrin e rasteve tragjike të këtij fillim viti, përfshirë plagosjen e tre vëllezërve Muriqi javën e kaluar e raste të tjera të shpeshtuara që i kanë kthyer komentet që po bëhen si të zakonshme për krimin në komunën e Pejës.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i komunës së Pejës, që ishte i përkushtuar për sigurinë gjatë gjithë fushatës së tij, nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim për ta dëshmuar këtë përkushtim.

Nga kabineti i tij, të premten kanë thënë se gjatë ditës në agjendën e kryetarit nuk ka pasur ndonjë aktivitet lidhur me shtimin e rasteve dhe të krimit në përgjithësi në komunën e Pejës, përveç ndoshta pjesëmarrjes në varrimin e gjashtëmbëdhjetëvjeçarit Granit Kelmendi në fshatin Llabjan apo në varrimin e 56 vjeçares Ramiza Hasanagiq në Vitomiricë.

Lidhur me problemet që kanë të bëjnë me sigurinë publike, ndërlidhur me rastet e rënda që tronditën Pejën, ish kryetari Ali Berisha i ka kërkuar pasardhësit të tij që të dalë nga zyra ku është ngujuar.

“Më duhet t’i kërkoj pasardhësit tim që menjëherë të fillojë të punojë për siguri më të madhe në komunën tonë… T’i lërë takimet e kota e fjalët boshe sepse siguri sjellin vetëm veprimet dhe puna konkrete” ka thënë Berisha, shkruan “Zeri”.

Peja prej vitesh është në krye të kronikave të zeza për rastet e rënda të vrasjeve që kanë tronditur qytetarët. Jo vetëm nga përmasa por edhe nga brutaliteti i shfaqur nga kryesit e tyre.