pdk

PDK-ja mund të tkurret edhe në Drenas

pdkMalisheva nuk po mbetet rast i izoluar i ikjes së anëtarësisë së PDK-së. Iniciativë e ngjashme me atë që është krijuar në vendlindjen e Fatmir Limajt, është paralajmëruar se do të formohet edhe në Drenas, komunën prej nga vjen kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Të pakënaqur me zhvillimet në parti pas Kuvendit të fundit zgjedhor, një grup i cili ishte pjesë e degës së PDK-së në Drenas, ka vendosur që Grupin Politik për Demokratizim ta regjistrojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si iniciativë qytetare.

Përfaqësuesi i kësaj iniciative, Shemsi Elezi, ka thënë për Tribunën se një iniciativë e tillë është bërë për shkak të pakënaqësive me qeverisjen e PDK-së në Drenas.

Sipas tij, kjo parti nuk ka bërë sa duhet për zhvillimin dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të kësaj komune. “Iniciativa jonë ka për qëllim përmirësimin e jetës se qytetarëve të komunës së Drenasit. Ne jemi duke punuar në të gjitha fshatrat duke kërkuar votat e qytetarëve të pakënaqur me qeverisjen aktuale”, ka thënë Elezi, i cili kishte arritur të bëhej asamblist në Kuvendin Komunal të Drenasit nën ombrellën e PDK-së. /Tribuna/