PDK-ja ka vetëm një opsion!

PDK-ja ka vetëm një opsion!

PDK-ja ka vetëm një opsion!Partia Demokratike e Kosovës ka filluar të përgatitet për zgjedhjet e reja. Pavarësisht pse Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje ka hequr dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit, duke premtuar se PDK-së do t’ia votojnë kandidatin e saj, partia e drejtuar nga Hashim Thaçi nuk do të thërras seancë nëse s’do të ketë marrëveshje edhe për qeverinë.

Një zyrtar i lartë i PDK-së i ka thënë Gazetës Blic se ata nuk do të marrin pjesë në Kuvend pa pasur marrëveshje edhe për qeverinë.

“PDK nuk do të thërras seancën konstituive. Nëse e bën Blloku këtë gjë, pra e thërret seancën, realisht bëjnë shkelje të Kushtetutës”, ka thënë ky zyrtar i lartë u PDK-së në kushte anonimiteti.

“Neve na takon edhe qeveria. Pa marrëveshje nuk shkojmë në Kuvend. Ne jemi duke u përgatitur për zgjedhje të reja”, ka thënë ky zyrtar.

Një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe vetë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se ose do të ketë marrëveshje me PDK-në ose vendi do të shkoj në zgjedhje të reja.

Megjithatë, të kontaktuar nga Gazeta Blic në PDK nuk kanë dashur të flasin nëse janë duke u përgatitur për zgjedhje të reja.

Nga Blloku, ndërkaq, kanë paralajmëruar se nëse PDK nuk do të thërras seancën konstituive, ata kanë opsione se si të tejkalohet kjo situatë.

“Nëse PDK nuk do ta thërras seancën deri ne fund të javës së ardhshme, atëherë do të veprojmë ne”, ka thënë ky burim. Sipas këtij burimi, deputetja më e re e Kuvendit, Teuta Rugova do t’i bëjë ftesat për deputetët dhe do të thirret seanca konstituive.

“Janë disa opsione se si të veprohet në rast se thirret seanca. Mirëpo, opsioni më i mundshëm është votimi i kandidati i PDK-së, z. Arsim Bajrami. Dhe kësisoj të vazhdohet me formimin e qeverisë”, ka thënë ky burim.

Ndryshe, Kosova ka hyrë në muajin e gjashtë që nga mbajtja e zgjedhjeve dhe ende nuk i kemi institucionet. PDK doli e para në zgjedhje, mirëpo nuk arriti që të gjejë asnjë partner për bashkëqeverisje. Blloku LDK – AAK- Nisma dhe Vetëvendosje arritën marrëveshje për bashkëqeverisje, mirëpo Gjykata Kushtetuese me vendimin për kryetarin e Kuvendit kishte bllokuar institucionet.

Mirëpo, tash pas lëshimit pe të Bllokut, analistët politikë konsiderojnë se më nuk ka nevojë që të mos thirret seanca konstituive. /Gazeta Blic/