Paulo Dybala, Manchester United ofron 40 milionë Euro

Paulo Dybala, Manchester United ofron 40 milionë Euro

Paulo Dybala, Manchester United ofron 40 milionë EuroIshte vetë presidenti Maurizio Zamparini që u shfaq i dorëzuar në luftën për ta mbajtur sa më shumë talentin argjentinas në “Barbera”.

Paulo Dybala është njëriu i momentit në merkaton ndërkombëtare. Presidenti i Palermos, Zamparini ndezi dritën jeshile për largimin e tij dhe tashmë ankandi është hapur zyrtarisht. Talenti argjentinas nuk e shikon të ardhmen në Siçili dhe sipas “Daily Mail”, Manchester United ka vendosur 40 milionë Euro në pjatë për ta transferuar në “Old Trafford”.

Gjatë këtij sezoni, sulmuesi i Palermos ka shënuar 11 gola, 2 më pak se Mauro Icardi që e parakaloi pikërisht në sfidën e “San Siros” ku Interi fitoi pastër 3-0. Një ecuri e jashtëzakonshme për lojtarin 21-vjeçar që ka fituar famën e bomberit brenda pak kohësh.

Ishte vetë presidenti Maurizio Zamparini që u shfaq i dorëzuar në luftën për ta mbajtur sa më shumë talentin argjentinas në “Barbera”. Ai kritikoi sjelljen e lojtarit, duke theksuar se i qëndrojnë pranë njerëzit e gabuar, të cilët kërkojnë të përfitojnë nga talenti i tij.

Në këtë mënyrë, Zamparini i hapi rrugën largimit të djaloshit në fund të sezonit edhe pse nuk dha asnjë sinjal për klubin që dëshiron ta afrojë. Ai përgënjeshtroi një interesim të mundshëm nga ana e Napolit apo Juventusit, por shtoi se është i gatshëm të hyjë në bisedime duke lënë të kuptohet se disa prej klubeve më të pasura të kontinentit kanë dërguar sinjale në Palermo.

Të interesuar për Dybalan janë edhe Chelsea e Paris Saint Germain, prandaj ankandi i merkatos së verës parashikohet shumë interesant.