“Passwordi” jepet premierë në Zvicër
Një i burgosur në garazh të makinave, ka para vetes një laptop dhe duhet të gjejë “passwordin” (fjalëkalimin) për të shpëtuar nga bomba të cilën rrëmbyesit ia kanë vendosur në kokë.
Kjo është drama që shtjellon filmi i regjisores kosovare, i cili të enjten, është shafqur për herë të parë. Regjisorja Ganimete Haliti – Sava ka zgjedhur publikun zviceran, për të marrë përshtypjen e parë për filmin e metrazhit të shkurtër.
Filmi me titull “Password” është një prej garuesve në festialin “One Minute Film and Video Festival – Aarau”, ku është përzgjedhur në mesin e 400 filmave botërorë. Festivali ka nisur rrugëtimin, të enjten, dhe do të përmbyllet me ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 19 të këtij muaji.Regjisorja Ganimete Haliti-Sava, ka rrëfyer pse “Password” është shfaqur për herë të parë në festivalin zviceran.
“Filmi është prodhim i vitit 2012 dhe unë kam aplikuar në festivalin në Aarau, ku në mesin e 400 filmave që kanë aplikuar, filmi im ka hyrë në konkurrencë ndërkombëtare. Kjo do të thotë se ky festival e ka pranuar dhe vlerësuar dhe për këtë aty është dhënë premiera”, ka thënë Haliti-Sava.
Ajo është shprehur optimiste se “Passwordi” mund të kthehet në shtëpi me çmime.
“Sa u përket shpërblimeve, shpresoj që do të fitojë diçka, pasi që realizimi është i një niveli të lartë, ngjarja, aktrimi e të gjitha komponentët e tjerë. Mirëpo, prapë varet edhe nga prurjet e shteteve të tjera të botës dhe kualitetit të tyre”, ka thënë ajo.
“Passwordi”, sipas planeve të regjisores, nuk do të ketë premierë të veçantë në Kosovë.
“Nuk kam menduar të bëj ndonjë premierë të veçantë në Kosovë, mirëpo filmi do ta ketë premierën në ndonjërin prej festivaleve tona”, ka thënë ajo.
Regjisorja e re kosovare e sheh të rëndësishëm prezantimin e filmit të saj në festival zviceran.
“E vetmja mënyrë për të dalë dhe për t’u takuar e shkëmbyer ide me artistë, producentë e regjisorë ndërkombëtarë, janë këto festivalet e filmave nëpër botë”, ka thënë ajo.
Ganimete Haliti–Sava, e diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, më herët ka realizuar edhe filmin “SpideR”, i cili ka qenë pjesëmarrës në fesitvalin “Nine Eleven” në Kosovë, “Toti Film Festival” në Slloveni dhe “Festival of Nations” në Ebensee të Austrisë.