Paskal Milo i zhgënjyer nga Rama

Paskal Milo i zhgënjyer nga Rama

 Paskal Milo i zhgënjyer nga RamaKryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, pohon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se negociatat për përfshirjen në qeverisjen e vendit “po ecin me hapin e breshkës”.

Edhe pse mbështet qeverinë e drejtuar nga Edi Rama, Milo shprehet se tashmë koha nuk është më një argument për të justifikuar mospraninë e PDS-së në qeverisje të vendit.

“Pritja e gjatë asnjëherë nuk është e mirë. Ajo veç prodhon emocione negative. Në mënyrë të veçantë, kur pas një investimi shumë-vjeçar dhe shumë të përgjegjshëm, njerëzit presin të shohin frytin e përpjekjeve të tyre. Kur nuk e kanë patjetër që pezmatohen dhe ligështohen dhe fillojnë të analizojnë jo vetëm veten e tyre, nëse kanë bërë zgjedhjen e duhur në jetë, por fillojnë e mendojnë nëse politika shqiptare ka apo nuk ka qoftë edhe minimumin e ndershmërisë dhe të luajalitetit. Në këtë dilemë ndodhen sot për fat të keq anëtarët e Partisë Demokracia Sociale. Janë në kapërcyellin e kësaj dileme, ku fare mirë mund që zhgënjimi i përkohshëm të ushqejë zemëratën ose e kundërta, që durimi i dëshmuar deri tani t’i nxisë që të vazhdojnë edhe ta kalitin atë në pritje të ditëve më të mira”, theksoi Milo.

Sipas tij, negociatat me PS-në kanë nisur, por po ecin me hapin e breshkës.

“Nisur nga kjo marrëveshje, Demokracia Sociale ka kërkuar të negociojë në përmasa modeste në radhë të parë në përfaqësimin politik të saj, në qeverisjen e sotme.

Unë kam durimin që të pres, por me të drejtë shumë kontribuues në Demokracinë Sociale që janë të papunë dhe të shpërfillur nuk mund të kenë po të njëjtin durim siç ka kryetari i partisë. Zoti Rama në takimet që kam pasur me të nuk ka refuzuar dhe ka premtuar që PDS-ja do të përfaqësohet në qeverisjen e vendit sipas marrëveshjes. Koha po kalon dhe nuk është më një argument për t’u justifikuar. Ka pasur mjaft kohë dhe ka ende për të zbatuar marrëveshjen. Kërkesat tona janë modeste”, theksoi Paskal Milo.)