f1_bordi-zrre1333092707

Partnerët e koalicionit përplasen për energjetikën

Mospajtimet në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës kanë bërë që Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të vazhdojë të mbetet jofunksional. Ky bord nuk do të mund të marrë vendim për tarifat e reja, të cilat do të duhej të aplikoheshin duke filluar nga data 1 prill.

Vendimi i Kuvendit të Kosovës që të kthejë mbrapsht emrat e propozuar nga Qeveria e Kosovës për anëtarë të Bordit të ZRRE-së, përkatësisht Krenar Bujupin dhe Ahmet Latifin, do ta shtyjë për një afat të pacaktuar vendimin për tarafit e energjisë elektrike. Myzejne Selmanaj, deputete nga radhët e AKR-së, ka thënë se emrat e propozuar nga Qeveria e Kosovës nuk e kanë përkrahjen e grupit parlamentar të AKR-së. Ajo ka thënë të ketë votuar kundër propozimit të Qeverisë së Kosovës.

“Është dashur të jetë një njëri që ka njohuri për sektorin e energjisë. Unë kam dashur njerëz që janë profesionistë në sektorin e energjisë. Kjo ka qenë arsyeja për kundërshtim”, ka thënë deputetja nga radhët e AKR-së.

Edhe pse emrat e miratuar në Qeveri janë votuar edhe nga ministrat që vijnë nga AKR-ja, Selmanaj këmbëngul se ajo e përfaqëson grupin parlamentar të AKR-së.

Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, e ka mohuar faktin se mosvotimi për Bord të ZRRE-së ka të bëjë me mospajtimet në mes të PDK-së dhe AKR-së. Ai ka thënë se kërkesa e tij që votimi për anëtarë të Bordit të ZRRE-së të shtyhet për një seancë të radhës, është bërë për t’ia dhënë edhe një shans Qeverisë së Kosovës.

Fitim Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se javën e ardhshme në bazë të procedurave duhet të marrë vendimin e Kuvendit të Kosovës e pastaj të procedohet sipas agjendës. Krasniqi ka thënë se Qeveria, pas pranimit të vendimit të Kuvendit, ka të drejtë pas një jave të bëjë propozime të reja. Ai ka thënë se nëse janë kthyer duhet të ketë një vendim tjetër të Qeverisë së Kosovës, të plotësohen CV-të e pastaj të dërgohen serish në Kuvend.

Këto mospajtime kanë bërë që Bordi i ZRRE-së të mos mund të marrë kurrfarë vendimi në mungesë të kryesuesit.