Partia Demokratike e Kosovës nuk e kundërshton vendimin e KZAP
Partia Demokratike e Kosovës nuk e kundërshton vendimin e Komisionit Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa që së fundi udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të përsërisë votimet në Prizren, Gjilan e Lipjan.
Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e kanë quajtur të drejtë vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për përsëritjen e votimeve në komunat e Prizrenit, Lipjanit dhe Gjilanit, ku ka pasur parregullsi në balotazhin e 13 dhjetorit dhe u kanë bërë thirrje vëzhguesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë që të vëzhgojnë procesin zgjedhor, ndërkaq kanë shprehur bindjen se kandidatët e PDK së do të dalin fitues në të tri komunat ku është kontestuar rezultati.
Në një konferencë për media, nënkryetari i PDK-së, Harjedin Kuçi duke bërë publik qëndrimin e PDK-së rreth kësaj çështjeje është shprehur i bindur se pavarësisht rrjedhës së ngjarjeve kandidatët e këtij subjekti në Prizren, Gjilan e Lipjan do të fitojnë besimin e qytetarëve për drejtimin e komunës. Kjo edhe për faktin, siç tha Kuçi, që PDK që nga viti 2007 ka fituar 4 herë brenda dy vitesh dhe dy herë brenda një muaji në këto komuna.
“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si institucion i pavarur, ka marrë një vendim sipas kompetencave kushtetuese dhe ligjore që ka. Partia Demokratike e njeh këtë vendim. Ne jemi të bindur se Partia Demokratike në këto tri komuna që ka fituar që nga viti 2007 katër herë dhe brenda një muaji dy here do të jetë fituese prapë edhe në komunën e Prizrenit, edhe të Gjilanit, edhe të Lipjanit”, ka thënë Kuçi.
PDK si subjekt me përvojë shtet-ndërtuese dhe kontribuese e këtyre proceseve respekton çdo vendim të institucioneve të pavarura, ka shtuar Kuçi, duke kërkuar njëherësh edhe monitorim më të fuqishëm të procesit në rast të vendimit të KQZ-së për ripërsëritje të procesit zgjedhor në Prizren, Gjilan e Lipjan.
Shqyrtimi i 43 ankesave të procesuara në KZAP për parregullësitë e pretenduara nga subjektet politike për raundin e dytë zgjedhor ka shtyer KZAP-in që, në përputhje me kompetencat e përgjegjësit që i siguron ligji, t`i rekomandojë KQZ-së përsëritjen e votimeve në Prizren, Gjilan e Lipjan. Mbështetur në ligjin për zgjedhje, është KQZ organi që do të vendos për ripërsëritje të procesit.
Ai u ka bërë thirrje vëzhguesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë ta bëjnë monitorimin e plotë të këtyre zgjedhjeve dhe që rezultatet e tyre të pranohen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Duke folur rreth paralajmërimit të protestave të degës së PDK së kundër vendimit të KZAP it, Kuçi ka thënë se PDK i fton të gjithë që ta respektojnë qëndrimin e kësaj partie për rivotim në komunat ku janë shënuar parregullsi.