berisha-sp_1708111152_1

Parma e Udinese përcjellin Berishën

Dy skuadrat e kampionatit italian, Parma e Udinese, janë të interesuara për portierin kosovar Etrit Berisha. Përfaqësuesit e dy ekipeve të Serie A janë duke e vëzhguar gardianin e Kalmarit suedez. Berisha synon që në fund të këtij viti t’i bashkohet njërës prej dy ekipeve italiane.  

Skautët e Parmas e Udineses së fundit e kanë vëzhguar Berishën në ndeshjen e së dielës, të cilën Kalmari e humbi 1:0 nga GAIS-i. Berisha thotë se pas ndeshjes ka marrë lëvdata nga skautët e klubeve italiane.

“Përfaqësuesit e Parmas dhe Udineses në ndeshjen e fundit më kanë përcjellë nga afër. Pas ndeshjes më kanë treguar se janë të interesuar për të më transferuar në dhjetor të këtij viti. Më vjen mirë që për mua po interesohen ekipet e njërit prej kampionateve më të forta në botë”, ka thënë Berisha të martën për gazetën.

Berisha 22-vjeçar me Kalmarin ka kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2013.

“Unë kam kontratë me Kalmarin, por nga drejtuesit e klubit kam përkrahjen për të realizuar ndonjë lëvizje që do të shkonte në favorin tim dhe të skuadrës. Kalimi në Itali do të ishte i vlefshëm edhe për Kalmarin”, ka shtuar shtatlarti Berisha.

Etrit Berisha në Kalmar kaloi në fillim të vitit 2008 nga 2 Korriku i Prishtinës. Në vitin e parë luajti për skuadrën e dytë të Kalmarit, ndërsa në të dytin ishte i huazuar në një skuadër të kategorisë së tretë suedeze. Në vitin 2010 u stabilizua si portieri i parë i Kalmarit. Tani vlerësohet ndër portierët më të mirë në Suedi.

“Mendoj që ka ardhur koha që të vazhdoj karrierën në një ligë më të fortë se ajo e Suedisë. Serie A është ëndërr imja”.

Reprezentuesi i Kosovës, Berisha, për Kalmarin këtë edicion ka regjistruar 21 paraqitje. Kalmari në elitën e futbollit suedez zë pozitën e tetë me 30 pikë.