Parlamenti miratoi Projektligjin e Punës

Parlamenti miratoi Projektligjin e Punës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot në parim Projektligjin e Punës, megjithë vërejtjet e shumta, sidomos të deputetëve të opozitës.

Nenad Rashiq ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, në paraqitjen para deputetëve, u shpreh se ligji ka për qëllim të rregulloj të drejtat e punëtorëve, kontratën kolektive dhe kontratën për punë.

Projektligji, në parim është miratuar nga të gjithë deputetët e pranishëm. Megjithatë vërejtje të shumta janë bërë, sidomos në nenin për pushimin e lehonisë.

Një numër deputetë kanë bërë vërejtje për pushimin e shkurtër, prej vetëm 3 muajsh me pagesë, plus 1 muaj pa pagesë, që parasheh projektligji. Ky pushim është madje më i shkurtër sesa e parashihte rregullorja e deritashme e UNMIK-ut.

Deputetët kanë kërkuar që pushimi për lehonat punëtore të zgjatet në gjashtë muaj me pagesë dhe gjashtë të tjera pa pagesë, në mënyrë që foshnjave të porsalindura të mos u shkelet e drejta për të filluara jetën normalisht.

Miratimi i Ligjit të Punës ishte kërkesa-ultimatum e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në protestën e organizuar më 1 Maj – në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve

Ndërkohë, më herët gjatë seancës së sotme, Kuvendi i Kosovës dështoi të ratifikojë Marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria e Republikës së Kosovës me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim për financimin e Projektit për modernizimin e sektorit publik dhe financimin e Projektit për regjistrimin e pasurisë së patundshme dhe kadastër.

Kuvendi i Kosovës që në muajin qershor ka filluar ta ndjej mungesën e një numri të madh deputetësh. Kjo mungesë madje është vërejtur edhe në tri apo katër seancat e fundit të ekzekutivit, duke munguar kështu gjithmonë rreth 30 deri në 40 deputetë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi më herët pati deklaruar, se mungesat e paarsyeshme të deputetëve do të sanksionohen në pagat e tyre, raporton RTK-ja.

Pikërisht për shkak të mungesës së deputetëve, as sot nuk ka mundur të hyjë në votim Marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria e Republikës së Kosovës me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim për financimin e Projektit për modernizimin e sektorit publik dhe financimin e Projektit për regjistrimin e pasurisë së patundshme dhe kadastër. Kjo marrëveshje ka për qëllim marrjen e një kredia prej me shumë të përgjithshme prej 20.25 milion dollarë, prej tyre 9.11 milion dollarë janë grant, kurse 11.15 milion dollarë janë kredi e butë.

Kryesuesi i seancës Naim Maloku, nuk deshi të merret shumë me këtë, duke parë se në sallë janë vetëm 55 deputetë.

Një tentim të dytë rreth kësaj e bëri edhe vet kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, para se të fillohet më pikën e radhës të rendit të ditës. Kësaj radhe kishte mjaft deputetë të regjistruar me kartela, por ata fizikisht nuk ishin në seancë.

Pas dështimit të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në seancën e kaluar, ministri i Ekonomisë dhe i Financave Ahmet Shala, kishte pohuar se dështimi i votimit po bëhet për shkak të interesave të ngushta dhe inateve të disa deputetëve.

Për këtë deklaratë në seancën e sotme shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka kërkuar përgjegjësi nga ministri Shala që sipas tij ka fyer deputetët e legjislativit kosovar./Express/