Parlamenti Evropian diskuton për Kosovën e Shqipërinë

Parlamenti Evropian diskuton për Kosovën e Shqipërinë

Parlamenti Evropian zhvillon të mërkurën një debat midis deputetëve dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton për Kosovën dhe Shqipërinë.

Për të dy vendet do të votohet më 8 korrik nga një rezolutë. Nikolaos Chountis, nga e Majta e Bashkuar Evropiane, ka marrë pjesë në përgatitjen e projektrezolutës për Shqipërinë.

Në një intervistë për Deutsche Welle ai ka thënë se rezoluta është përpiluar në konsensus me të gjitha grupet politike të Parlamentit Evropian.

“Mendimi im është se ne duhet të ndihmojmë shqiptarët të vazhdojnë të hedhin hapat e duhur në drejtim të demokracisë për t`iu afruar sa më shumë Bashkimit Evropian. E dyta është se ne jemi dakord me liberalizimin e vizave, i cili duhet të bëhet sa më shpejt të jetë i mundur…”, është shprehur Chountis.

Chountis pret që projektrezoluta të aprovohet dhe shpreson që ajo të sjellë diçka të re për njerëzit në Shqipëri. Ai beson se ajo do të jetë mbështetje për të bërë hapat e duhur për vendin drejt BE.

Sa i përket projektrezolutës për Kosovën, do të theksohet se vendet e BE-së duhet të shtojnë kontaktet me Kosovën. Parlamentarët evropianë “mirëpresin njohjen nga të gjitha vendet e BE-së të pavarësisë së Kosovës”, thuhet në projektrezolutën e përgatitur nga Komisioni i Politikës së Jashtme. Vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën janë Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. /Dw/