Paratë e pista, denoncime nga kazinotë e avokatët

Paratë e pista, denoncime nga kazinotë e avokatët

Paratë e pista, denoncime nga kazinotë e avokatëtNë kuadrin e luftës kundër pastrimit të parave qeveria ka miratuar norma të reja për përcaktimin dhe raportimin e rasteve dhe subjekteve të dyshimta nga ana e profesioneve të lira jofinanciare.

Përmes një udhëzimi të publikuar në Fletoren Zyrtare përcaktohen mënyrat dhe procedurat e raportimit, afatet kohore, standardet dhe kriteret që duhet të zbatohen nga subjektet që detyrohen me ligj të trajtojnë këtë lloj informacioni.

Udhëzimi i drejtohet një liste të gjatë subjektesh të detyruara me ligj të raportojnë, të cilat nisin nga lojërat e fatit, avokatët e noterët, subjektet që trajtojnë kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme, administrimin e llogarive bankare e shkojnë deri agjentët e pasurive të paluajtshme apo ekspertët e vlerësimit të pronave.

Raportimi
Subjektet i paraqesin raport autoritetit përgjegjës, në të cilin parashtrojnë dyshimet që kanë për rastet kur e dinë apo dyshojnë se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet pastrimi i produkteve të veprës penale, apo financimi i terrorizmit, apo fonde që rrjedhin nga veprimtari kriminale. Raportimi bëhet me anë të formularit menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë. Ky raportim kryhet pas shqyrtimit të plotë të elementeve të dyshimta dhe të të dhënave që subjektet kanë në dispozicion për të arsyetuar atë, pavarësisht shumës së transaksioneve të kryera, ose që janë duke u kryer, ose që do të kryhen. Kur subjekti, të cilit i kërkohet nga klienti të kryejë një transaksion ka dyshime, ai duhet të mos e kryejë transaksionin, t’ia raportojë menjëherë rastin autoritetit përgjegjës dhe të kërkojë udhëzime nëse duhet ta kryejë apo jo transaksionin. Brenda 48 orëve nga marrja dijeni, autoriteti përgjegjës kthen përgjigje, duke parashtruar qëndrimin për lejimin e transaksionit ose nxjerrjen e urdhrit të bllokimit.

1 milion lekë

Subjektet janë të detyruara të raportojnë brenda ditës pasardhëse të gjitha transaksionet në para fizike, në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1 milion lekë, ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, kryer si një transaksion të vetëm, ose në disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën brenda 24 orëve. Udhëzimi përcakton se subjektet duhet të ruajnë dokumentacionin për identifikimin, llogaritë, si edhe korrespodencën me klientin për 5 vjet nga data e mbylljes së llogarisë apo përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit dhe subjektit.
Politikanët, më të dyshuarit
Udhëzimi u kërkon subjekteve të zbatojnë vigjilencë të zgjeruar me kategoritë që paraqesin më shumë rrezikshmëri kur vjen fjala te pastrimi i parave. Në krye të listës së subjekteve me rrezikshmëri më të lartë qëndrojnë personat e ekspozuar politikisht, që pasohen nga organizatat jofitimprurëse dhe organizimet ligjore. Pas tyre, për sa i përket rrezikshmërisë renditen klientët jorezidentë, shoqëritë që kanë aksione të mbajtësit si dhe të gjitha kategoritë e klientëve, të cilët banojnë ose e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vende që nuk zbatojnë ose që zbatojnë pjesërisht standardet përkatëse ndërkombëtare, për të parandaluar e luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Subjektet me rrezikshmëri më të lartë
– Personat e ekspozuar politikisht
– Organizatat jofitimprurëse
– Organizimet ligjore;
– Klientët jorezidentë
– Shoqëri që kanë aksione të mbajtësit
– Të gjitha kategoritë e klientëve, të cilët banojnë ose e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vende që nuk zbatojnë, ose që zbatojnë pjesërisht standardet përkatëse ndërkombëtare, për të parandaluar e luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
/GazetaShqiptare/BalkanWeb/