Paralajmhen për arrestime në veri
EULEX-i ka paralajmëruar se në veri të Kosovës do të nis arrestimin e personave “të cilët kanë shkelur ligjin”, raporton B92.
Zëvendësshefi i EULEX-it, Roy Reeve, i ka thënë radio “Kontakt Plus” në Mitrovicë se EULEX-i planifikon arrestimin e personave të caktuar në veri të Kosovës dhe se ekipet e EULEX-it po punojnë në hetime dhe se shpejt mund të priten rezultate.
I pyetur se “shpejt” do të thotë një muaj, dy muaj apo gjysmë viti, Reeve është përgjigjur: “mund të them se në pyetje janë javët, e jo muajt”.
Ai nuk ka përmendur se a janë nën hetime edhe disa përfaqësues politikë nga veriu i Kosovës. Reeve ka theksuar ai dhe shefi i EULEX-ii, Yves de Kermabon, do të njoftohen me aktivitetet 12 orë para fillimit të aksionit dhe se ka shumë besim në prokurorët dhe policinë e EULEX-it.
Ai ka deklaruar se EULEX-i ka filluar hetimet në fillim të këtij viti dhe se nga UNMIK-u kanë trashëguar me qindra raste dhe se prokurorëve dhe hetuesve të tyre ju është dashur disa muaj vetëm për t’i shikuar dhe për të vendosur se për cilat raste mund të vazhdojnë hetimet.
Reeve ka thënë se hetimet në lidhje me atentatin e pasuksesshëm kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiç, është në vazhdim dhe se shërbimi hetues i EULEX-it është plotësisht i inkuadruar në zgjidhjen e këtij problemi.
E njëjta situatë sipas tij është edhe me sulmin me bombë, të ndodhur dy ditë para këtij rasti në pjesën veriore të Mitrovicës, kur humbi jetën mjeku Mesud Gjokoviq, ka thënë zëvendësshefi i EULEX-it, duke theksuar se shpreson se këto hetime do të japin rezultate.