Pagat s’i mbulojnë shpenzimet

Pagat s’i mbulojnë shpenzimet

Pagat s’i mbulojnë shpenzimetQytetarët e Kosovës çdo ditë e më shumë po varfërohen. Çmimet në artikujt e konsumit vazhdojnë të shtrenjtohen, kurse pagat kanë mbetur të njëjta. Ekspertët e ekonomisë thonë se çmimet e artikujve po shtrenjtohen vazhdimisht, pasi që varemi nga importi, në mungesë të prodhimit vendor.

“Çmimet në vendin tonë vazhdojnë të mbajnë nivelet e mesatareve evropiane, përkundër pagave më të ulëta në kontinent. Ndodh kështu meqë vendi ynë bazohet tërësisht ne import dhe nuk ka prodhim vendor. Ekzistenca e prodhimit vendor do të ndikonte në ulje të çmimeve e rritje të pagave”, ka thënë Lumir Abdixhiku nga Instituti “Riinvest”.

Sipas tij, ne kemi një ambient të rëndë fiskal që, sipas tij, është jodomosdoshmërisht për shkak të normës tatimore, por për shkak të mënyrës së mbledhjes së saj.

“Në këto çmime ndikojnë edhe normat e larta të interesit për kredi”, ka thënë ai.

Ndërsa Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se duke pasur parasysh shifrat e mëdha të informalitetit del që ka jo mjaft shpenzime nga familjet, por duke e pasur parasysh nivelin e madh të importit, ka rritje të konsumit, por shumë më pak ka kursim. “Është krijuar një kosto e pasluftës që në mungesë të konkurrencës çmimet janë ngritur shumë më lart, krahas asaj se sa është realisht fuqia blerëse në vend”, ka thënë Rukiqi.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Kosovë janë 280 mijë e 454 qytetarë të punësuar. Ndërsa mbi 40 për qind e popullsisë llogaritet të jetë në varfëri të skajshme. Si pasojë e kësaj numri i atyre që kërkojnë azil jashtë Kosovës për një jetë më të mirë vazhdon të rritet. Shifrat më të freskëta të BE-së për 2012 tregojnë se në tre muajt e parë të këtij viti rreth 1970 kosovarë aplikuan për azil. Prej këtyre, 29 për qind në Francë, 24 për qind në Gjermani, 22 për qind në Belgjikë, 12 për qind në Suedi, 3 për qind në Luksemburg dhe 9 për qind në vende tjera.

Prej këtyre, një numër në rritje janë pranuar, 335 më 2009, 450 më 2010 dhe 920 më 2011. Zyrtarisht, Franca është shteti i vetëm që pranon azil nga kosovarët dhe në vazhdimësi ka pranuar numrin më të madh të aplikacioneve në vitet e fundit. Më 2009, 190 nga 335 aplikues kishin marrë azil në Francë, më 2010 350 nga 450 si dhe më 2011 u pranuan 720 nga 910 aplikues./zeri/