Padia për Serbinë, “retorikë dëshpëruese” e Thaçit

Padia për Serbinë, “retorikë dëshpëruese” e ThaçitDeklarata e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid, është cilësuar e vonuar, dëshpëruese dhe vështirë e realizueshme, shkruan sot Koha Ditore.

Për 15 vjet Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, përmes të cilit do ta vinte para drejtësisë Serbinë për krimet e shkaktuara në Kosovë dhe për dëmet materiale.

Sipas opozitës dhe atyre që merren me krimet e luftës, deklarata e ish-kryeministrit është retorikë për ta qetësuar opinionin për shkak të Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së, përcjell koha.net. Kosova ka pasur mjaft fakte për ta paditur Serbinë për gjenocid, krime lufte apo të paktën për dëmet gjatë luftës, por kjo nuk është bërë as pas pavarësimit të Kosovës.

Ish-udhëheqësi i UÇK-së, Thaçi, u ka thënë ditë më parë medieve turke se ka prova që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.
“Kemi prova, ka dëshmi, e gjithë bota e di. Por, duke mos qenë Kosova ende pjesë e OKB-së, jemi në përpjekje për të gjetur hapësira legale për ta akuzuar Serbinë për gjenocid dhe për ta dëshmuar këtë para drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Përfaqësues të opozitës kanë thënë se deklarata të tilla Thaçi është dashur t’i jepte gjatë bisedimeve me Serbinë në Bruksel, e jo nga Turqia.

Nuk është hera e parë që Thaçi kërcënon me padi. Ai pati paralajmëruar se do ta padiste edhe Dick Martyn, pas publikimit të raportit për krimet e supozuara të UÇK-së, ku akuzohet direkt edhe Thaçi.