Pacolli i "kryqëzon" Thaçin dhe Mustafën

Pacolli i “kryqëzon” Thaçin dhe Mustafën

Pacolli i "kryqëzon" Thaçin dhe MustafënEdhe ish– zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, njëherësh president i AKR-së, ka komente sa i përket ikjes së shumë qytetarëve nga Kosova.Krejt kjo, sipas Pacollit po ndodh nga mungesa e perspektivës ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në një shkrim të postuar në Facebook, presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, po ashtu ka shtruar disa pyetje për Kryeministrin aktual Isa Mustafa, dhe atë të kaluarin Hashim Thaçi, ky i fundit tash ministër i Punëve të Jashtme.

Lexojeni të plotë shkrimin e Behgjet Pacollit

Ashtu sikur edhe shumica e kosovarëve, dua të shpreh edhe unë shqetësimin tim në lidhje me zhvillimet e fundit në vend veçanërisht, me ikjet e vazhdueshme që po ndodhin çdo ditë nga Kosova.

Këto ikje në thelb kanë mungesën e perspektivës ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, janë përgjegjësi direkte e institucioneve të Kosovës së pasluftës, në veçanti, Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe partive kryesore politike të cilat deri më sot, me interes parësor e patën interesin e partisë së tyre, interesin klanor e personal se atë të vendit.

Përderisa me shumë ambicie në mandatin e kaluar nisem reformat, jo rrallë ato bllokoheshin në Qeveri e Kuvend me pretekstin (banal) se AKR ka vetëm 7% dhe “nuk mund të jetë” bartëse e reformave”

Ato reforma të cilat u ndërmorën nga AKR-ja dhe pjesërisht u miratuan nga Qeveria, u vlerësuan maksimalisht ndërkombëtarisht, përderisa u minimizuan skajshmërisht nga politika Kosovare. Pjesa e cila nuk pati fatin të kalojë, mbeti ende në sirtarët e Qeverisë ose Kuvendit.

Ne nuk mundem ta ndryshonim situatën, ishim shumë pak kundrejt shumicës. Ne, do të donim shumë (duke e ditur rëndësinë e këtyre reformave të nisura) që kjo Qeveri t’i implementojë ato reforma. Disa prej tyre janë: Krijimi i platformave agroekonomike me PPP, amendamentimi i ligjit të prokurimit, reforma për administratë efektive, themelimi i agjensionit shtetëror të participimeve, trajtimi i minierave sipas planit të AKR, funksionalizimi i zonave te lira ekonomike, ridizajnimi i kompetencave të AKP -së, etj.)

Deri tani nga kjo Qeveri nuk ka asnjë shenjë të fillimit të zbatimit të asnjë reforme, çfardo qofshin ato.

Me sa unë e shoh, kjo Qeveri nuk ka as planprogram për ketë mandat. Kam disa pyetje të cilat kërkojnë urgjentisht një përgjigje që të kuptojmë ku gjendemi në proces dhe çfarë po ndodh:

1. Zoti KM Mustafa, çka jeni duke bërë për krijimin e 120 mijë vendeve të punës të cilat i premtuat në fushatën zgjedhore? Në intervistën tuaj të fundit në RTK ju refuzuat të jepni qoftë edhe një numër të vetëm sa do të punësohen gjatë mandatit tuaj.

2. Cila është platforma juaj ekonomike që do të ndalë ikjen e përditshme të qytetarëve Kosovarë nga vendi?

3. Cila është platforma juaj që do të ndalë grevat në arsim?

4. Cila është platforma juaj që do të ndalë grevat në shëndetësi?

5. Ministri juaj i financave z. Avdullah Hoti, në intervistën e fundit në RTV 21 deklaroi se nuk do të ketë ligj për Trepçën. Pse atëherë LDK e ktheu mbrapsht ligjin e ndërmarrjeve publike të Ministrit të AKR-së para një viti me pretekst se LDK kërkon ligj specifik për Trepçën. Këtë e konfirmoi edhe kryetari i juaj i komisionit për zhvillim ekonomik në Kuvend në një intervistë në Top Channel. Pra si po e shihni, ju keni bllokuar iniciativën e AKR vetëm për shkak të inateve, mbasi sot ju tentoni të bëni të njëjtin veprim, atë që ne e bëmë para një viti.

Ky është vetëm një rast që po përmendi, njëjtë vepruat edhe në shumë raste tjera!

6. Çka jeni duke bërë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë?

7. Zoti Zv/KM Thaçi, çka jeni duke bërë për krijimin e 200,000 vendeve të punës që i premtuat në fushatë?

8. Çka është duke ndodhur me “fondin tuaj të punësimit 1.5 miliard euro”? Ju patët ftuar ndërmarrësit e Kosovës që të aplikojnë në këtë fond!

Mos harroni, Z. KM Mustafa dhe Z.zv/KM Thaçi se Kosova ka hyrë në një Krizë serioze ekonomike e sociale ku kërkohet shumë punë serioze, e sinqertë, transparente dhe profesionale.

Jetojmë në kohën dhe hapësirën e tregut të lirë ku koha e duhur, njerëzit e duhur, prakticiteti dhe përvoja janë garantuesit kryesor të suksesit.

Unë shpresoj Ju të keni përgjigje në pyetjet e mia, jo për mua, por të mirën e Kosovës dhe popullit të saj. /KP/