Behgjet Pacollii

Pacolli drejt Gjykates Kushtetuese

Presidenti i sapozgjedhur, Behgjet Pacolli, duke se nuk do ta ketë fatin e pararendësit të tij, Fatmir Sejdiu, për të qëndruar mbi katër vite në krye të shtetit, e më pas të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.

Ai pritet të përballet me këtë gjykatë brenda pak ditësh. Sinjalet për këtë i ka marrë qysh në ditën e parë të punës. Kanë qenë dy partitë opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, si dhe një pjesë e madhe e shoqërisë civile, që e kanë paralajmëruar se do të kërkojnë interpretimin e “gardianit” të Kushtetutës, nëse zgjedhja e tij në postin e presidentit ka qenë në harmoni me Kushtetutën dhe me Rregulloren e punës së Kuvendit, shkruan Koha Ditore.

Dyshimet e ngritura nga ta konsistojnë në mungesën e kuorumit gjatë dy raundeve të para, si dhe në ndërprerjen e votimit para hyrjes në raundin e tretë.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala ka rikujtuar se neni 51 i Kushtetutës, si dhe Ligji për presidentin parashihen që në dy raundet e para, kandidatët për president duhet të fitojnë 2/3 e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve për t’u konsideruar të zgjedhur.

“Mirëpo, siç është parë as në raundin e parë, e as në atë të dytin nuk kanë qenë prezentë 81 deputetë. Prandaj, ne si parti mund të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që të japë interpretimin nëse ka qenë gjithçka në rregull me kuorumin”, ka thënë ai.

Linjë të njëjtë kanë mbajtur edhe drejtuesit e AAK-së. Edhe ata kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese interpretimin nëse zgjedhja e institucioneve të reja është në pajtim me aktin më të lartë juridik të Kosovës.

Sipas nënkryetarit Ahmet Isufi, ngjarja e së martës në Kuvendin e Kosovës i ka dhënë në hije të keqe jo vetëm institucionit, mirëpo edhe asaj për çka është punuar një dekadë.

“U shkel Kushtetuta e Republikës së Kosovës. AAK në ditët në vijim do t’i përdorë të gjitha instrumentet demokratike për t’i dalë në ballë kësaj të keqeje që po i vjen vendit dhe për të parandaluar degradimin e lirisë dhe të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Të shqetësuar me mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së presidentit janë shprehur edhe 19 organizata joqeveritare. Sipas këtyre organizatave, procesi është shoqëruar me shkelje të dispozitave kushtetuese, ligjore dhe të Rregullores së Kuvendit të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët, OJQ-të kanë konstatuar se mënyra e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president nuk e përfaqëson unitetin e popullit që e kërkon Kushtetuta.     /telegrafi