ORA shkrihet në LDK

ORA shkrihet në LDK

Partia Reformiste ORA nga e hëna do t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.


Kjo është bërë e ditur nga Nënkryetari i kësaj partie, Gazmend Muhaxhiri, i cili ka konfirmuar se Kryetarja Teuta Sahatqija ka qenë e autorizuar të bëjë negociatat me LDK’në.

“Po, është e vërtetë se të hënën, Kryetarja e ORA’s do të bëjë publike marrëveshjen me LDK’në”, ka thënë Muhaxhiri.

“Komplet struktura e ORA’s do të kalojë në LDK”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i ORA’s e ka mohuar mundësinë që ndonjë zyrtar i kësaj partie të shpërblehet automatikisht me pozitën e Nënkryetarit apo anëtarit të Kryesisë së LDK’së.

“Detajet e tjera do të bëhen të ditura nga Kryetarja, por është e sigurt se tash për tash ajo nuk do të marrë ndonjë pozitë të lartë në LDK”, ka thënë ai.

Edhe Zyra për Informim e ORA’s ka njoftuar se të hënën do të mbahet një konferencë për media, por nuk ka treguar se për çka do të flasin zyrtarët e saj.

Ndryshe, Nënkryetari i Parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu ka thënë se ka pasur biseda ndërmjet partisë së tij dhe ORA’s, por ende nuk është i njoftuar për epilogun e marrëveshjes.

“Ka pasur disa fërkime ndërmjet ORA’s dhe LDK’së, por nuk e di se çfarë marrëveshjeje është arritur”, ka thënë Kryeziu për Express, të dielën.

Ky zyrtar i LDK’së e ka mirëpritur gatishmërinë e ORA’s për të qenë pjesë e LDK’së dhe u ka bërë thirrje edhe partive të tjera t’i bashkohen partisë së tij.
“Ky është hap i mirë dhe shembull edhe për partitë e tjera”, ka thënë Kryeziu.

Edhe Zëdhënësi i LDK’së, Vehbi Miftari, kohë më parë e pati konfirmuar ofertën për bashkimin e ORA’s me Partinë e Fatmir Sejdiut.

“Ne i kemi bërë ofertë ORA’s dhe partive të tjera që kanë program të përafërt me LDK’në. Ne presim jo vetëm partia ORA, por edhe parti dhe personalitete të tjera t’i bashkohen së shpejti LDK-së. Unë mendoj që ka vullnet për këtë”, pati thënë Zëdhënësi Miftari.

Partia Reformiste ORA është themeluar në vitin 2004 nga publicisti Veton Surroi. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2004 kjo parti kishte arritur të siguronte 5 ulëse në Parlamentin e Kosovës.

Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2007, ORA nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind. Kjo kishte bërë që themeluesi Surroi të jepte dorëheqje dhe të largohej nga partia.

Ndërkohë, në zgjedhjet e vitit të kaluar, ORA vazhdoi me rënie të elektoratit dhe nuk mori as votat e zgjedhjeve të 2007’s. Kjo i shtyri udhëheqësit e kësaj partie të mendojnë të shkrihen në LDK apo AAK. Por, në fund vendosën t’i bashkohen partisë së dytë në Kosovë.

  • Xhelali nga Tetova

    Bashkimi i ORE-se ne LDK eshte nje pune e mire Bravo

  • uyeruuqer uiyryryerue

    ora punon ne emer te huaj nuk respekton familje nuk respekton kanun nuk njohin traditat shqiptare disa shetites neper amerike latine dhe dyshohet se perdorin substanca narkotike