Optimiste për Raportin e Progresit

Optimiste për Raportin e Progresit

Zëvendëskryeministrja për evrointegrime e Maqedonisë, Teuta Arifi është shprehur optimiste se vendi do të sigurojë raport pozitiv të Progresit nga Komisioni Evropian.

Ajo këtë e theksoi sot gjatë takimeve të nivelit të lartë me përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Bruksel. Zëvendëskryeministrja Arifi theksoi se ka marrë sinjal se raporti i ardhshëm i Komisionit për avancimin e Maqedonisë në afrimin drejt Bashkimit Evropian, për të katërtën herë rresht do të jetë pozitiv.

“Sot pata mundësi të marrë pjesë në leximin standard dhe paraqitjen e raportit që Komisioni Evropian e bën për Maqedoninë çdo vit. Mund të them se konkluzioni dhe pritja ime është se raporti, si edhe çdo vit, apsolutisht do ta reflektojë realitetin në vendin tonë. Ky realitet është pozitiv dhe apsolutisht ashtu edhe do të jetë”, deklaroi Teuta Arifi pas përfundimit të takimeve me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Zgjerim të KE-së, Stefano Sanino dhe Aleksandra Kas Granje, udhëheqëse e sektorit të zgjerimit pranë KE-së.

Zëvendëskryeministrja Teuta Arifi nuk ka dhënë përgjigje se a do të jetë raporti pozitiv apo do të ketë rekomandim për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

“E gjithë kjo pres që të zyrtarizohet në ditën kur raporti do të prezantohet. Megjithatë në parim, edhe një herë do të theksoja se procesi i Dialogut inkuadrues në shkallë të lartë me të vërtetë u tregua si një proces shumë i nevojshlm i të dy palëve për avancim dhe përparim në hapjen e aktiviteteve që kanë të bëjnë me BE-në në vendin tonë”, nënvizoi zëvendëskryeministrja Teuta Arifi. Në kuadër të kësaj vizite është trajtuar edhe çështja e kontestit të emrit me Greqinë dhe marrëdhëniet ndërfqinjësore, duke përfshirë problemet dhe reagimet e fundit që vijnë nga Sofja zyrtare.

Komisioni Evropian më 10 tetor do të publikojë raportin e progresit për Maqedoninë, ndërsa deri tani nuk jepen detaje se çfarë do të jetë përmbajtja e tij sa i përket vlerësimit të situatës së përgjithshme në Maqedoni dhe procesin e reformave. (INA)