Opozita nga Kuvendi paralajmëron protesta për “Trepçën”

Opozita nga Kuvendi paralajmëron protesta për “Trepçën”Deputeti Glauk Konjufca, nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje!, ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të Kosovës, që të paralajmërojë protesta të reja lidhur me kompleksin metalurgjik “Trepça”.

Ai në seancën e Kuvendit, në të cilën po flitej për Projektligjin për plotësim ndryshimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, ka thënë se Qeveria e ka ndërmend ta shesë “Trepçën”

“Kryeministri në mënyrë të nënkuptueshme tha që do ta shesim ‘Trepçën’. Që tash po ju bëj thirrje qytetarëve të Kosovës: Qytetarë të dashur, kjo qeveri ndryshe nuk merr vesh, pra përgatituni për protesta të reja”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se projektligji në fjalë po bëhet për komunat me shumicë serbe dhe se për këto komuna po ndërhynë Serba dhe Vucic-i mes Listës Srpska.

“Nuk është se Lista Srpska po dëshiron t’i mbrojë pasuritë e Kosovës. Ata po duan që përmes Asociacioneve që duan të krijohen ta kenë kompetencë dhe vendimmarrje në këto pasuri që ne i quajmë pasuri nacionale”, ka thënë mes tjerash Konjufca.

Edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas Konjufcës ka kërkuar që të merret me seriozisht çështja e “Trepçës”.

Ai ka thënë se e kanë rast që të rregullohet kjo çështje se përndryshe “pranvera po vjen dhe do të kenë punë me popullin”.